Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku është arrestuar një person dhe janë sekuestruar mallra të dyshuara të kontrabanduara.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 19 korrik 2026, rreth orës 03:38, në fshatin Bube të Zubin Potokut. Gjatë patrullimit, njësitë policore kanë vërejtur disa automjete të dyshuara.
Policia ka bërë të ditur se drejtuesit e automjeteve nuk iu bindën urdhrave për ndalim, me ç’rast zyrtarët policorë kanë përdorur armën zyrtare në përputhje me autorizimet ligjore.
Si rezultat i ndërhyrjes, është arrestuar një person, ndërsa është ndaluar një automjet i tipit VW Sharan. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur pije alkoolike dhe joalkoolike pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës.
Policia ka njoftuar se nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të hetimeve dhe forenzikës, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme në vend.
Burimi: botasot.info


