Dy pikë-kalimet kufitare, ai në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur sot për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave.
Kështu kanë njoftuar nga Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.
Në njoftim thuhet se barrikadat janë hequr ashtu siç edhe ishin vendosur, çka edhe ka mundësuar hapjen e këtyre dy pikë kalimeve për qarkullim.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.
Sipas informacioneve nga terreni, barrikadat janë larguar edhe në Mitrovicë të Veriut.
Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.
“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.