Në një aksion policor të zhvilluar këtë mëngjes në Strugë dhe Gostivar, janë arrestuar katër persona, të dyshuar për planifikimin e organizimit të ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen, të cilat mund të kishin kërcënuar sigurinë e vendit tonë dhe të shteteve të tjera. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përmes një deklarate për mediat. Ministri sqaroi se bëhet fjalë për veprimtari të lidhura me organizata terroriste.
“Sipas informacioneve tona, këta individë kanë vepruar në bashkëpunim me persona jashtë territorit të Maqedonisë dhe janë ndjekur prej kohësh nga organet kompetente të sigurisë. Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kemi ndërmarrë një veprim të koordinuar. Kemi prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimet se këta individë synonin të organizonin aktivitete të rrezikshme, të cilat mund të cënonin sigurinë e Maqedonisë dhe të rajonit. Objektivi i tyre ishte indoktrinimi i personave të tjerë nga Ballkani, të cilët do të vepronin në përputhje me qëllimet e tyre,” deklaroi ministri Toshkovski.
Burimi: alfax.mk