Polemika mes deputetëve Shemsedin Dreshaj dhe Armend Muja për komisionin hetimor për tekstet shkollore

min lexim

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, dhe ai i LVV-së, Armend Muja, janë përfshirë në një debat lidhur me punën në komisionin hetimor parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore.

Fillimisht Dreshaj ka thënë se deputetët e LVV-së në kundërshtim me Ligjin e me rregullore kanë vendosur që të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e komisionit hetimor.

“Në përpjekje për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore, deputetët e Vetëvendosjes sot paskan vendosur të bëjnë puç në Komisionin Hetimor që e kryesoj unë.Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë”- ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, deputetët e LVV-së kanë nxjerrë nga mbledhja edhe stafin teknik të Kuvendit që kanë tërhequr vërejtjen për shkeljen e Ligjit dhe të Rregullores për mbarëvajtjen e punës në komisionet hetimore parlamentare.

“Për këtë maskarallëk, i kam shkruar edhe Kryetarit të Kuvendit, të shohë nëse ai ka gjë në dorë e ta ndalë këtë maskaradë të VV-së”- ka thënë ai.

Lidhur me këtë, deputeti Armend Muja i ka reaguar Dreshajt në Facebook duke thënë se shumica e bën kuorumin, duke e akuzuar për ikje nga përgjegjësia.

“Z. Shemsedin Dreshaj e ke detyrim ligjor të paraqitesh në Komision deri në përfundim të sesionit pranveror [31 korrik 2024]. Shumica e bën kuorumin dhe eja puno. Çdo sabotim vendim arbitrar dhe ikje nga përgjegjësia do t’i referohet Seancës, siç e kemi bërë edhe sot”- ka thënë Muja.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përmbytje masive në Korenë e Veriut: Kim Jong-un kërcënon me hakmarrje ndaj zyrtarëve

Story i radhës

Nga prapaskenat e klipit të ri – Semi Jaupaj së shpejti me projektin e radhës

Të fundit nga