Po shemben kullat tona të moçme

February 7, 2022
min lexim

E lanë kullën që i kapërcente të 200 vjetët, një familje në Orosh të Mirditës. Një burrë i moshuar me duart që i dridheshin e kyçi derën e jashtme të saj për ta lënë në mëshirë të fatit.

Më dhemb kjo ikje në pakohësi tani kur mjekrra dhe flokët e mi të thinjur ngjajnë më malet kreshtëbardha e ku drejt tyre fluturojnë ëndrrat e mija. Këtu zemrën lashë peng, e tash s’di kush është gjallë unë a hija ime.

 Eh medet shumë prej nesh bëjnë gjëra që s’duan t’i bëjnë, po tash të lashë si nënën e mjerë vendlindja ime ty bashkë me tempujt e shenjtë që fshehin të fshehtat e frikshme. Shfaqet hija e të vdekurve rreth tyre, lamë shtëpinë e katandinë. Përunjësisht shqelmova të kaluemen, përrallat, mitet, legjendat vegimet mistirke të gjyshërve tanë.

Po e le në mëshirë të fatit kullën në oborrin e të cilës i biri shtat lastar me nusen e tij si shtojzavalle dorpërdore si kroi me borën e vetmuar të bjeshkëve nisën jetën e tyre tue pëshpërit vesh më vesh a thua fluturat e larme zukisnin mbi lulet e zambakëve.

Rënkimi njerëzor dëgjohet. Në sytë e ndergjegjes së vrarë sikur lexohet riti i pendesës. Dihatja e tij si të ishin gjëmime, vetëtima mbushur në shi. Shikimin përdhe e lëshoi. Si një gjethe thahen qepallat

Shpresa ime është thinjur mërmëriti. Por del prej aty ku një fjalë e thënë si nga vetë zotit zë vend ndër shekuj në kuvende burrash. 

Eh kulla ime që loz nën re, me vetëtima e bubullima. Tek unë shpirti mbush zbrazëtirën, boshin që pas ikjes mbëtet. Me vete po marr peshat e krrokamës së kullave tona të flijuara.

Vështrimin e hedh në zgrof të hapsirës, a thua vështron shtigjeve të legjendave. Lugut të qiellit fluturojnë retë hijerënda ngarkuar plot me rropama e marrin udhën drejt bjeshkëve të tua sikur i flet Malit të Shenjtë ku në zemrën e shkëmbit përmotshëm buron një gurrë e në krahë ëndrrash shtegtojnë mbi këtë vend prej guri e diellit mbi këto katunde që gjyshërit mbi gurë gdhendën epigrame. Në zemër të ulkonjës varrosni gjëmimet e moçme. Bishat t’unëta do të gjesdisin katundeve tona. E rrapet buzë lumit të Fanit valëbardhë sajonin përralla. Pragjet thyer e konaqet mbyllur eh metet bjeshkët në gjunjë ranë.  Hëna yjet braktis.

Në lartësinë e bjeshkëve të tua mblidheshin dikur kuvendet e burrave. E një këmbanë binte. E bjeshëkve degjohej jehona e qëndresës. Përtej në horizont andej nga rrugtojnë retë turreshin duhi ngarkuar plot britma epike. Tinëzisht shumë dallgë të sulmuan herë përballë e herë pas shpine Mirditë po ti gjithnjë e gjithëherë qendër qëndrese. Qysh në bark të nanës i kam dëgjuar legjendën e moçme e baladat që po mbesin të vrame. Po tash ato veç në i kujtoftë e i këndoftë hutini. I vishen vetullat me blozë atij njeriu të zymtë. E hesht fuqia e thinjave të bardha.

Ikën pleqtë e maleve si zogj pa fletë e vendosen atje ku se shohin me  nga shkrepat  të brofin shqipet e në kupën e zbrazët të qiellit të lëshojnë klithma. Atje ku s’dëgjohet më klithma e grizhlës.

Shpendët e malit pa gjuhë po gugasin nëpër qerdhe. Lugjet ulurijnë kobshëm. Krojet gurgullojnë pikëllim.

Oborreve të kullave të moçme ulurin kopeja e ujqërve të tërbuar. Kasollja e tij u vendoset diku në një rrënzë qyteti ku në kazanët e ngopura bredhin të dhjamosur minjtë. A në breg të kënetës ku degjon veç dërdëllitje zhabash.

 Ikën bashkë me pengun e fundit, ikim si era gjethet shkund mërmërit tu i lanë kullat në breg të Fanit la me gjak. Gaforret ecin mbrapsht të arrish në shekullin e ri.

E le kullën e shkret në atë Shpatull të pjerrët mali ku kode legjendash jeta thurte. Burimi thotë jemi të etur. I le të parët e tij në qetrësinë e të vdekurve.

Aroma e lisnës në shpatet e vendlindjes sime tash e mbrapa mungon, e flokët e thinjura a thua marrin me vete aromën e alpeve. Po mungon vështrimi i magjishëm i hënës që peshqir të argjendë hedh mbi plisin e bardhë të Munellës që si nuse e lazdruar ngihet si tempull i moçëm, kur hëna nga bjeshkët e Malit të Shenjtë ja behu buzmbrëmjeve lëshohet luginave. E zanat që kudo jetojnë thurin ylberë mbi kreshtat e saj. 

Zë vend aty ku s’dëgjohet më gurgullima e ujit të kulluar si lot vashe. 

E pastër kupa e kaltër, pa njolla e mjegulla përhapur fjollë fjollë gremisur hon më hon humbet. Ku rrufetë këndojën këngën e furtunës. E dhia e egër rend alpeve.

Po tash rrufetë vrisnin lisat e gjatë e mbi ty qielli regtin lotë. Qielli nxin furtunat sulmoin me rrëmbim furtuan e pamëshirshme mbi katundet e braktisura. 

Del jashtë e ndejti në shqimin e derës.Zëmërlëshuar lëshon gjamë e name. I biri me një shark të bardhë ngarkuar shtigjeve të legjende merr udhën e mërgimit. Zgerdhihet koha shtrigë në fundjetën me plakun e kullën e tij lënë në mëshir të fatit e përditë shkruhen legjenda të reja për ne. Është ndryshe kuqëlimi i diellit në perendim.

Moti kan praj zogj nëpër drunj mërmërit. Sorrat prej vitesh kanë zënë vend ndër murana e kullave të moçme të katundeve tona shurdh memece. Unë mbërritur deri këtu në këtë ditë ku kuputet jeta me vdekjen

Është ora kur bilbili ligjëron këngën e tij e kur të dashuruarit pëshpërisin në fshehtësi. Por atij i shëtit ëndrra atje në Malin e Shenjtrë, në rrëzë të Munelës, Kunorës, Velës ku gjithçka mbështillet në shenjtërim.Vetëtimat sjellin mallin e bashkojnë retë.

E hedh vështrimin drejt Alpeve flokëbardha e mjekërgjelbërta dikur atyre anëve fshatrat hepoheshin rrëze maleve me bore. Por tash ato janë boshatisur.  

Kullat kënduan këngëheshtjen atyre anëve ku në s’qetullat e maleve burojne kroje ujekulluar. Malet sikur përgjojnë zhurmën e thellë të tokës mbi kurrizin e tyre të thepisura.

As buka s’e ka të njejtën shije. Ngado degjohet aromë dehëse, nëpër erë lëshohet si në krematoriume. Ca sorra vrasin heshtjen me zhurmë e hakërrima, në qiejt si ngerdheshje. Gjerrtizeve ku kundërbimi i erës së coftinave të mbyt, bredhin zogj mishngrënës e dëgjohet angullima e qenve.

 Pranë kasolles së tij kalon shegerti i merguar, zengjini me veturë flokëlyer. Të qeshurat e harlisura të grave rrufjane të pushtetarëve e angullima e qenve endacakë dëgjohen ngado. Rrospive meshkuj, njerzit me pozita shtetërore me një vështrim të ligë si vështrim meduze në këtë vend zhurmëplotë. Mbërrin aty ku gjykatësin mendjelehtë – deputetin e shitur të leqisnin moral.

Përkulet muzgu e bije mbi kënetë. Ai rob a bujtës i vetmisë. I ulur aty në shqimin e deres e sheh të afrohet si hije ngarkuar nga barra e fatit të birin. Diku rrëshqet në një balticë. Pengohem në terr shtanget befas ngrij. Pse tutesh bir sikur i thotë. Por hesht e zemra sikur i thotë ruaje fjalën. 

E pra kulla e tij është monoment i kulturës kombëtare tashmë e harruar dhe braktisur nga të gjithë edhe nga shteti edhe nga i zoti i saj. Kështu ka ndodhur dhe me kullën tjetër 115 vjecare të Zajsit po në Selitë ku trekatëshja, Monoment i Kulturës pritet të shembet. Është plasaritur kulla trekatëshe e Lajthizës në Orosh. Pritet të shemben kullat e braktisura në Mashtërkor. Janë braktisur e mund të rrëzohen kullat e Perlatit e Spaçit.

Po shemben kullat tona monomente të kulturës ndër këto anë. Po shemben bashkë me qoshet e tyre të gdhendura, bashkë me historinë e tyre. Po shemben e po zënë nën murana pllakatat “Monomente Kulture” shkruajtur e murosur diku mbi dyer. Po shemben pse njerzit e këtyre anëve s’kanë me se të jetojnë, s’kanë rrugë e mundësi jetese pse janë harruar e ndjehen pa përkrahje.

Lugjet, krojet, arat, livadhet, e rrpinave të nalta, prroskat, përrenj, mallet, bjeshkët tash po marrin tjetër pamje.  Shpateve majë kepit pishat si rrecka të shpërndame të shfaqin një pamje të mjerë.

Gështenja pikëlon prej degës së pemës majë shkëmbit prej zemrës së të cilit një krua mërmëron si nga kreshtat e brengave rrëzuar e fundeve të livadheve plepat qiellin duan të shpojne atje ku ka qënë një fshat pak i largët me ara mes malesh të egra.

Ikin e i lënë të gjitha, kullat e moçme bashkë me arkitekturën e tyre tipike, tavanet e gdhendura, qoshet e kullës, oxhakët, qemerët e derës, mullinjtë e blojës, të fundit relike të një kohe të shkuar, punishtet tradicionale, toponominë tradicionële. E pa këto kulla kanë ndër dyer pllakatat “Monoment kulture” Ruhet nga shteti.

Po nga cili shtet!?

Mjafton të shfletosh citimet e udhëpërshkruesve europjanë në dy shekujt e fundit dhe këto kulla përshkruar në mënyrat më brilante të kthejnë në një tjetër realitet në madhështinë e tyre ku nisin epoka . Tash po shemben pa zot.

Detyra e mbrojtjes, mirëmbajtjes, restaurimit dhe rijetësimit të kësaj trashigimie kulturore me vlera të pallogaritëshme kombëtare, i është faturuar Insitutit të Monomenteve të Kulturës për të cilën nga shteti jepen dhe fonde përkatëse. Është ky Insitut që përcakton kriteret e restaurimit dhe duhet që në çdo rast të çojë mbikëqyrës për ndërhyrje restauruese. Në tërë teritorin e vendit në bazë të të dhënave të këtij Insituti janë 1100 monomente kulture  që ruhen nga shteti. Nga këto rreth 430 janë banesa, thuajse në të tërë krahinat e vendit, në qytete dhe në fshatra.

Në rregulloret e këtij Insituti ka të përcaktuar bashkëpunimin  e tij me Drejtoritë Rajonale të Monomenteve në qarqe dhe pushtetet vendore por fatëkeqësisht  në prefekturën e Lezhës nuk bëhet fjalë për një drejtori të tillë edhe pse numri i monomenteve të kulturës është jo i vogël.             

Të rrimë po ku e përse thonë njerzit e këtyre anëve? Të rrimë këtyre grykave të thella malesh, thjeshtë për kullat e moçme!?

“Këtu, këtu, në Shqipëri, duhet të vijnë të gjithë edukatorët tuaj të popullit, tue fillue prej profesorëve të universiteteve, që nuk shohin përtej hundës së tyre, deri te klasat krenare të mësuesve, të cilët zënë vend në shkollat popullore me dam të njerzimit; këtu po, në Shqipni, të vijnë demagogët dhe lumteniprurësit tuej, të gjithë anarkistët e vendeve tuaja, të gjithë elementëtr e pakënaqun. Këtu, parnë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, te kata njerëz, që ata i quejnë gjusëm barbarë, duhet të vijnë në shkollë e të nxënë, se si në vobegësi, në thjeshtësi andjesh, në shpresë te i madhi zot, e ka rrajën lumnia e cdo njeriu, veçanërisht, dhe gëzimi e mirërrojtja e popujve përgjithësisht. Këtu në Shqipni, do t’i gjesh të gjitha shkollën e naltë e të vërtetë të jetës” -Pati shkruajtur në 1905 autori i të famshmit romani “Lule” Fabian Barcata.

E pra amerikanë, austriakë, gjerman, francez etje kapërcenin male e fusha për të “zhbiriluar” në gjurmët e historis së këtij vendi enigmë, siç përfytyrohej shpesh prej tyre sidomos Shqipëria e Veriut dhe posaçërisht traditat, zakonet, doket dhe etnokulturën e këtyre njerëzve që jetonin mes malesh. Ndërsa sot heshtet nga të gjithë; studiuesit, pushtetarët lokalë dhe më gjërë edhe pse po varrosen dita ditës monomentet e kulturës.

Po të vazhdojë kështu së shpejti do të mbetet veç inventari!

Iku kjo familje e u vendos atje në Bathore, një tjetër familje rend drejt Kënetës së Durrësit e tjetra drejt Kënetës së  Torrovicës e vendoset në një shtëpi dërrase, atje “ku gjendet qytetrimi e civilizimi i rrem” e një mundësi më shumë për të jetuar. Prapa la të bëhet gërmadhë një tjetër qytetrim, atë të vjetrin, tradicinalin. Kushedi si është dridhur zemra e atij 70 vjecari që tek kryqte derën e kullës me të cilën ishte e lidhur fëmiria e tij, jeta, këngët, balaldat, doket, historia ekzistenca mivjeçare.

Po shemben kullat tona të moçme monumente kulture, dëshmi identiteti qendrese historie. Pse mungon rruga, shkolla, institucionet që ishin por u shkatërruan. Para se fjalës mizore t’i bëhëj jehonë duhet ndalur shpopullimi e tjetërsimi i fytyrës e identitetit të ketyre aneve.

Po shemben kullat tona të moçme shpateve të maleve, që nga larg shkëlqenin me krenari. Hije krenare e tyre është zbehur. 

Retë ushunjëza të zeza, sikur trokojn drejt bjeshkëve të Malit të Shenjtë të hedhin një hije të zezë mbi germadha kullash të moçme rreth të cilave kanë mbetur veç ferra.

Në kishen e vejtër Abacale të Mirditës një qiri digjet e digjet. Priftin belbëzonjës ngre meshë a thua i përzuri hijet që mbushën varrezat me zëra të hershëm. Hënëhumbur, heshti mëkati në jetë e në varre. Hëna e gozhduar nga një re e dendur.

Qyqe të shkreta që këndojnë buzë mbrëmjes mbi degë të thatë ahu e kënduara juaj po më vret.

Si një korb krrau krrau krrokëriti si korbi i zi diku në një televizor e flet për trashigimin kulturore është drejtor në drekjtorinë e trashigimisë kulturore në Ministri. Ç’fat fatal.  Ç’mjerim. 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zjarrfikësit shuajnë zjarrin në pyll në Kenia

Story i radhës

Blinken: SHBA e angazhuar të ndihmojë Evropën për t’u furnizuar me energji

Të fundit nga

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit

​Netanyahu do t’i nënshtrohet operacionit Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e prostatës, njoftoi zyra e tij. 75-vjeçari u diagnostikua me një infeksion urinar si pasojë e
ShkoLartë