Po planifikohet ndarja e Shqipërisë!

min lexim

E pazakontë, shqetësuese, por e vërtetë. Po planifikohet ndarja e Shqipërisë, jo nga fuqitë e mëdha dhe fqinjët siç jemi mësuar këtë zakonisht ta përjetojmë, po kësaj radhe nga vetë shqiptarët.

Protagonistët kryesor të ndarjes kësaj radhe pritet të jenë Rama, Berisha, Meta –  jo emri i ri i Facebook – ut por Meta ish kryetari i Shqipërisë. Ndarjes pritet që ti bashkohet Alibeaj si kryetar oficiel i PD, por ende nuk është e sigurte se ndarjes a do ti bashkohet edhe Luli, megjithëse ai nganjëherë gjuan dhe thumbon nga prapavija.

Këtë lloj fenomeni shqiptarët nuk e kanë përjetuar deri më sot, është një risi.  Personalitete të politikës po thonë që Shqipërinë më mirë ta ndajmë mes vete sesa të na e ndajnë të tjerët. Të huajt do ta ndanin pa dhimbje, sikurse një plaçkë, kurse ne së paku do të kishim emocione.

Zgjedhjet e Bashkisë pra po afrohen dhe plani i ndarjes po bëhet gjithnjë e më i qartë. Berishës thanë se do ia caktojnë jugun sepse lodhja, pagjumësia, dobësimi i kujtesës, mosha e rraskapitja e kanë hendikepuar, prandaj aroma e detit, uji, kripa dhe dielli, do ti ndihmonin që të ripërtërihej.

Ramës ishte propozimi që t´ia caktonin veriun, të ishte më afër Serbisë, po atij nuk i besohet sepse në çast ai e ndërron mendimin dhe nuk dihet deri në momentin e fundit, se cilën pjesë do ta pranonte.

Në anën tjetër përpos njerëzve me influencë të tij nuk dihet se si do të reagonin  patronazhistët e tij të cilët e kanë bërë planin zgjedhor, prandaj është e paqartë se ku dhe si ata e parashikojnë fitoren. Ku i shpërndajnë ndihmat e miellit të orizit dhe ku mund t´i kontraktojnë blerjet e votave.

Metës ia caktuan territorin diku kah mesi i Shqipërisë, as jugu e as veriu, ngase ai i ka në shpirt kodrat me bagëti, livadhet, lugjet e malet e larta. Ai u lut që territorin e donë gjithmonë aty ku mund të ketë edhe kos të shijshëm, sepse përpos ajrit të pastër, çiltërsisë pyellore ndjen nevojë edhe për kos të shumëllojshëm të shtazëve dhe bagëtive të Shqipërisë.

Alibeajn dhe Lulin nuk ditën se ku t´i caktonin po u thanë të veprojnë në një territor të pavarur që në rast nevoje ta ndihmojnë Metën ose Berishën, nëse ata kanë nevojë për ndihmën e tyre. Alibeajt dhe Lulit ua tërhoqën vërejtjen që në ato territore ku vepron Rama, kurrsesi të mos duken. Dyshimi i Berishës dhe Metës është se mos këta dy, kanë marrëveshje të fshehur me Ramën dhe po ua punojnë pas shpine.

Ky mosbesim kishte lindur që kur Berisha e kishte pushtuar kështjellën e PD dhe Lulin e kishte akuzuar si bashkëpunëtorë të Kristaqit.

Për këtë ndarje të Shqipërisë është njoftuar edhe Dardania e cila është alarmuar duke apeluar në bashkimin e të gjitha forcave politike, që t´i dilet në ndihmë Dardanisë nga kërcënimi serbo – rus.

Ndaj kësaj kërkese të Dardanisë ka reaguar me indiferencë Rama duke thëne se Vuçiqi vetëm flet dhe kërcënohet, po në realitet ai është paqësor. Synim e ka vetëm ta ruaj postin e vetë, e si intereson fare as Kosova, as Shqipëria e as Rusia.

Berisha e Meta kur e dëgjuan kërkesën e Dardanisë thirrën konferenca veç e veç shtypi dhe i trimëruan shqiptarët duke e akuzuar Serbinë për agresion të hapur ndaj Dardanisë duke u zotuar se po sulmoi Serbia, kufirin do ia vëmë në qytetin e Nishit.

Luli dhe Alibeaj nuk u përmbajtën dhe thanë se për hir të Dardanisë, Luginës dhe Maqedonisë duhet ta ndalojmë ndarjen e Shqipërisë. Ne duhet të paraqesim kërkesë për bashkimin të të gjitha trojeve shqiptare, ndoshta deri te  Dardanelet dhe Turqi.

Ramës nuk iu durua pa u lajmëruar sërish kur e pa se çpo deklaronin Berisha, Meta, Alibeaj dhe Luli.

Unë tha me patronazhistët e mi do të angazhohemi që t´i fitojmë zgjedhjet sipas planit tonë në Shqipëri. Ti zgjerojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe fqinjët tanë, kurse ju caktoni kufijtë e Dardanisë dhe shihni ëndrra të arrini deri në Turqi, me fantazinë  tuaj të çmendur.

 Në Festivalin e Birrës në Korçë unë i kam ftuar Vuçiqin, Dodikun, Vulin dhe Daçiqin. Do ta kisha ftuar me dëshirë edhe Lavrovin, po është i nxënë me Ukrainën./Mars – Rover (Satirë)

Story i mëparshëm

Meta prezanton pajisjen e cila do ta bëjë metaverse një realitet

Story i radhës

Dy mbledhje të Komisionit kuvendor ligjdhënës-juridik

Të fundit nga