Futbollisti më i dekoruar në histori, Dani Alves, ndodhet në burg për më shumë se tre muaj me akuzën e përdhunimit.
Alves u arrestua më 20 janar pasi një vajzë e akuzoi se e kishte përdhunuar në tualetin e një diskoteke. Braziliani i famshëm ka udhëtuar drejt Barcelonës pas eliminimit nga Botërori i Katarit dhe më pas ka mbërritur akuza për përdhunim.
Gjykatësi refuzoi kërkesën e avokatit të tij për lirimin e Alves me kusht. Tani, shoku i dhomës i Alves ka zbuluar gjendjen e brazilianit.
“Dani po bëhet gjithnjë e më i dobët. Ndonjëherë duket i trishtuar. Ai i shmanget shoqërimit sepse të burgosurit e tjerë e shajnë. Më shpesh ai ulet në dhomën e ndenjjes dhe shikon TV, zbuloi shoku i dhomës së Alves nga burgu.
Ai tha se Alves ndonjëherë ka privilegje, por këto privilegje nuk kanë të bëjnë me ushqimin.
“Ai ha saktësisht të njëjtën gjë që na japin. Sa i përket akuzës, ai pretendon se gjithçka është e rregulluar dhe se do të jetë i lirë”, tha shoku i dhomës së Alves.
Ndryshe, Alves përballet me 12 vjet burgim dhe procesi gjyqësor duhet të përfundojë pas disa muajsh.
Braziliani është futbollisti më i dekoruar në histori me 43 trofe të fituar, por ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Lionel Messi e ndjek nga pas me (42).