Lufta për pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putini është luftë kundër botës perëndimore, në përpjekje të kthimit të proceseve gjeopolitike të Evropës, të kohës të ish Bashkimit Sovjetik. Në anën tjetër vëllai i vogël i Putinit, Aleksander Vuçiqi nuk po gjënë qetësi në synimet ekspansioniste ndaj Kosovës. Projektet e tilla si “bota ruse” dhe “bota serbe”, po shoqërohen me incidente në veri, si provokim edhe ndaj KFOR-it, për çka edhe Vuçiqi mori mesazhe të qarta nga NATO-ja, se nuk guxon ‘ta shkelë vijën e kuqe’. Paralelisht me kërcënimet në veri nga ana e Serbisë, në Mal të Zi, Dritan Abazoviqi dhe patriarku serb, Porfirije nënshkruan marrëveshje, e cila potencialisht është destabilizim i Malit të Zi dhe i Ballkanit. Kryeministri Abazoviq, me këtë nënshkrim ku i jepen të gjitha ingerencat fetare kishës serbe, ka marrë anën e “botës serbe”. Kjo tregon se deklarata e mëparshme lidhur me masakrën e Srebrenicës nuk ka qenë e rastësishme, i ka paraprirë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Në planin e gjerë gjeopolitikë Abazoviq është vu edhe në krah të Vuçiqit dhe Ramës për “Ballkanin e hapur”, që e konteston Deklaratën e Berlinit. Vuçiqi ka vu në funksion në mënyre permanente të gjithë arsenalin propagandistik, pas intervenimit të Putinit në Ukrainë dhe aktivizimit të rolit të Kishës Ortodokse Serbe. Provokimet serbe duhet të gjejnë përgjigje adekuate, për të mos gjetur zbatim në synimet e tyre hegjemoniste serbomëdha në Ballkan.
Propagandës serbe historikisht të rreme, tashmë i ka dalur boja para shteteve demokratike të botës. Duhet rrënuar themelet e shkruara të ideologjisë serbomadhe të shekullit 19-të, e cila në mënyrë programore është bërë alfa dhe omega e politikës ekspansioniste serbe. Ishin këto vitet 1918, 1941, 1945, 1991 dhe tash në vitin 2022. Politika serbe ka mbetur e njëjtë, vetëm sa ka ndryshuar në formë. Dihet për tendencat e hapura të Serbisë me rastin e shpërbërjes të ish-Jugosllavisë për spastrime etnike dhe gjenocid ndaj popujve jo serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi është bërë shegerti kësaj politike pushtuese. Nëse politikat ruse dhe serbe janë koordinuar përmes botës serbe, botës ruse dhe Ballkanit të hapur, botës demokratike e liridashëse i mbetet një rreshtim i ri politik dhe ushtarak, që ti ndalojë këto projekte fashiste në Ballkan e më gjerë. Ngjarjet e fundit në rajon kanë për qëllim të krijojnë gjendje të përgjithshme kaotike, për tu lëshuar pastaj vend projekteve të tilla për ndryshime të dhunshme kufijsh…