Pas “pokerit” ndaj Monza-s, Stefano Pioli është shprehur i kënaqur me rezultatin dhe ecurinë e Milanit.
Duke folur për mediet pas këtij takimi, tekniku theksoi se sfida ishte e vështirë, por ekipi ia doli të luante një lojë të bukur.
“Ishte një fitore e vështirë. Monza luan mirë dhe ne e dinim. Skuadra filloi mirë, e mbajti mirë lojën, rrezikoi pak dhe ndërtoi shumë. Ishte gjithçka pozitive nëse nuk përfshijmë disa gabime në menaxhim që nuk na lejuan të kontrollonim plotësisht lojën. Ne përpiqemi të përmirësohemi dhe të ecim përpara në konceptet dhe parimet tona ”,-tha ai.
Më pas, ndërsa foli për Brahim Diaz, protagonist i ndeshjes ndaj Monza-s, pasi realizoi një dopietë të shkëlqyer, trajneri zbuloi se nuk ka marrë dëmtim të rëndë.
“Është i shkëlqyer. Kur ai luan, kundërshtarët luftojnë për ta kapur në metrat e para. Sa i përket dëmtimit nuk ka asgjë serioze.”-shtoi Pioli.