Petliçkovski: Na pret verë e qetë me COVID-19

March 27, 2022
min lexim

Maqedonia e Veriut do të heqë masat mbrojtëse nga pandemia, por në disa faza për të mos rrezikuar gjendjen e mirë epidemiologjike, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alekandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive. Sipas tij, numri i të vdekurve sikurse edhe i rasteve të reja ka shënuar rënie të madhe në krahasim me tre muajt e fundit, që i garantojnë Maqedonisë së Veriut të ketë një verë më relaksuese. Por, vaksinimi i popullatës mbetet në nivele të ulëta. Peliçkovski thotë se ka pasur lëshime në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për nevojën e vaksinimit, por thotë se beteja nuk është humbur pasi institucionet do të bëjnë gjithçka që të rritet vaksinimi, si alternativë e vetme për mbrojtje nga pandemia.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Petliçkovski, cili është vlerësimi i Komisionit për Sëmundje Infektive lidhur me gjendjen epidemiologjike me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut?

Alekandar Petliçkovski: Aktualisht, gjendja epidemiologjike është e mirë pasi tash shtatë javë kemi ulje të numrit të personave të shtruar nëpër spitale, kemi ulje të numrit të personave të vdekur, ndërsa në këto dy javët e fundit kemi pasur edhe ulje të numrit të rasteve të reja. Tani numri i të infektuarve sillet në rreth 300 persona të infektuar në bazë ditore. Në përgjithësi, kemi një gjendje solide e cila nuk paraqet ngarkesë për sistemin shëndetësor.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se ka ulje të numrit të të vdekurve dhe kjo vërehet krahasuar me dy-tri javët e fundit kur numri ishte i lartë. Kemi të bëjmë me ndryshim të metodologjisë së evidentimit të personave të vdekur, apo kjo është si rezultat i përmirësimit të gjendjes epidemiologjike me COVID-19?

Alekandar Petliçkovski: Jo, ne ende po bazohemi në metodologjinë e njëjtë që ishte rekomanduar nga OBSH-ja, e cila po shfrytëzohet edhe nga shumë shtete tjera në botë, pra nuk kemi ndryshim të metodologjisë, ndërsa rënia e numrit të personave të vdekur është thjesht rezultat i përmirësimit të gjendjes epidemiologjike.

Radio Evropa e Lirë: Shumë shtete në rajon dhe më gjerë i kanë lehtësuar masat shtrënguese për mbrojtje nga COVID-19. Te ne kemi vonesë në këtë drejtim, të paktën ky është perceptimi i njerëzve, bizneseve, por edhe i disa ekspertëve shëndetësorë. Këtu kemi edhe nxënësit e shkollave fillore, të cilët pavarësisht rekomandimit të Komisionit, akoma vazhdojnë t’i mbajnë maskat në shkolla. Kur pritet të kemi lehtësime?

Alekandar Petliçkovski: Ne, si komision, kemi dhënë rekomandimin për heqjen e maskave për nxënësit në shkollat fillore dhe ky propozim duhet të kalojë në Shtabin e krizës dhe në Qeveri. Sipas informatave që posedoj, rekomandimi do të miratohet të martën në mbledhjen e Qeverisë. Sa i përket opinioneve se ne vonohemi me lehtësimin e masave, unë do të thosha se ne më shumë jemi të kujdesshëm në lehtësimin e masave. Kjo pasi ne e ndjekim gjendjen epidemiologjike, si në shtetet e rajonit ashtu edhe në shtetet më të zhvilluara, të cilat lehtësuan masat në masë të madhe, por më pas u përballën me raste të reja të të infektuarve, madje në numër edhe më të madh se në fillimin e pandemisë.

Pra, ne po ndjekim situatën dhe lehtësim të masave gjithsesi se do të ketë, por jo brenda një dite. Do t’i heqim të gjitha, por në faza në javët në vijim.

Radio Evropa e Lirë: Imunizimi apo vaksinimi i popullatës, sipas dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është në nivel të kënaqshëm. Sipas jush, ku qëndron shkaku i refuzimit apo mosinteresimit për vaksinim? A është bërë sa duhet në ngritjen e vetëdijes së popullatës për vaksinim?

Alekandar Petliçkovski: Gjithmonë mund të bëhet më shumë. Por, kemi të bëjmë me një fenomen të përbashkët për shumë shtete të rajonit. As në Maqedoninë e Veriut, as në Serbi, Rumani, Bullgari, Shqipëri, vaksinat nuk janë pranuar njëjtë sikurse në shtetet e zhvilluara evropiane. Pra, në fillim u vonuam me fushatën e vaksinimit, ndërsa më pas nuk ishim sa duhet të zëshëm në sqarimin për popullatën se vaksinat janë zgjidhja më e sigurt dhe më efikase për dalje nga pandemia.

Sot kemi dëshmi edhe hulumtime shkencore edhe më të fuqishme dhe do t’i shfrytëzojmë për ngritjen e përqindjes së vaksinimit, andaj edhe do të jemi më të zëshëm në reklamimin vaksinimit dhe efektet e saj. Nuk mendoj se e kemi humbur betejën, sikur edhe një për qind të kemi rritje do të ishte e dobishme në përballje me pandeminë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë vere na pret, sipas jush, pasi çdo ditë shohim se si njerëzit kanë nisur të përgatiten për dasma, hotelet për pritjen e turistëve sikur edhe bizneset tjera?

Alekandar Petliçkovski: Unë jam optimist i kujdesshëm, por besoj se në shtetin tonë nuk do të ketë skenarë të këqij të Evropës Perëndimore dhe numra rekord me të infektuar. Mendoj se na pret një periudhë më e qetë, andaj mendoj se pranvera dhe vera do të jenë të mira, por se çfarë situate epidemiologjike do të kemi në vjeshtë dhe dimër, nga tani është vështirë të parashikohet, por muajt që ndodhen para nesh do të jenë të mirë./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ky nuk është askush tjetër veç Edinson Cavanit

Story i radhës

Rrokulliset një veturë në qendër të Tetovës

Të fundit nga

ShkoLartë