Me ardhjen e pranverës, shumica e njerëzve janë të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit dhe ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit mund të shkaktojë dëmtim të lëkurës suaj.
Dr Ross Perry nga një zinxhir klinikash për lëkurën ka zbuluar gabimet që bëni e të cilat mund të jenë shumë të rrezikshme.
“Dielli në prill është po aq i fortë sa në gusht, kështu që duhet ta trajtoni si të tillë. Njerëzit shpesh mund të mashtrohen nga një erë e ftohtë, por rrezet UV janë po aq të forta dhe kanë po aq mundësi të shkaktojnë djegie nga dielli dhe dëmtime”, ka theksuar ai.
Sa më të mbrojtur që jeni kur dilni në diell, aq më i ulët është rreziku për sëmundje të tilla, si kanceri i lëkurës.
Në vijim janë disa nga gabimet më të zakonshme që njerëzit bëjnë në muajt e pranverës:
Nuk përdorni krem kundër diellit
“Shpesh shtrohet pyetja nëse njerëzit duhet të mbajnë krem kundër diellit në fytyrë gjatë gjithë vitit dhe përgjigja e thjeshtë është ‘PO’! SPF duhet përdorur gjatë muajve të pranverës, madje edhe gjatë gjithë vitit. Shumë njerëz nuk besojnë se mund të digjeni nga dielli në muajt e hershëm të pranverës”, ka thënë Dr Perry.
Edhe nëse nuk keni djegie nga dielli në muajt e pranverës, rrezet e diellit kontribuojnë vazhdimisht në plakjen e lëkurës tuaj, gjë që mund të mos e vini re menjëherë. Por, me kalimin e viteve, mosaplikimi i kremit kundër diellit përshpejton shfaqjen e rrudhave, varjes së lëkurës dhe njollave të plakjes.
Aplikojeni kremin kundër diellit 15 minuta para se të dilni në diell me intensitet të lartë.
Mbrojtje e dobët e lëkurës së djegur
Nëse vëreni se lëkura juaj është djegur, ndërmerrni disa hapa menjëherë.
“Gjëja më e rëndësishme është që pasi ta kuptoni se jeni djegur, të largoheni menjëherë nga ekspozimi në diell. Dhe më pas është më mirë të aplikoni kremra hidratues me aloe vera ose kremra të tjerë qetësues pas rrezitjes dhe ta përsërisni çdo dy orë. Është gjithashtu e rëndësishme t’i trajtoni djegiet nga dielli me kompresa të ftohta disa orë pas djegies”, ka shpjeguar eksperti.
Djegiet vetëm një herë në çdo dy vjet mund të trefishojnë rrezikun për melanomë malinje.
Nuk pini ujë mjaftueshëm
“Një valë e të nxehtit në mars ose prill mund të jetë një tronditje për organizmin dhe lëkurën. Njerëzit mund ta nënvlerësojnë sasinë e ujit që duhet ta pinë, sepse nuk është si një ditë e nxehtë vere. Shumë njerëz do të dalin papritmas për të ushtruar pas disa muajsh qëndrimi në shtëpi duke mos menduar se mund të kenë nevojë për mbrojtje nga dielli ose të kenë më shumë ujë me vete”, ka thënë ai.
Pirja e sasive të mëdha të ujit në temperatura të larta, është çelësi për të shmangur goditjen nga nxehtësia, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me probleme shëndetësore.
Nuk i merrni seriozisht nishanet
Kanceri i lëkurës mund të zbulohet herët falë ndryshimeve të nishaneve ose shfaqjes së ndryshimeve të reja. Sa më shpejt të veproni, aq më shpejt mund të trajtoheni. Dr Perry thotë se ka disa faktorë kyçë për t’u kujdesur kur bëhet fjalë për nishanet.
“Nëse keni një nishan që rrjedh gjak, kjo me siguri nuk është normale nëse nuk e keni gërvishtur. Shumica e nishaneve nuk rrjedhin gjak në mënyrë spontane, kështu që është e rëndësishme të shkoni për kontroll te një mjek”, ka këshilluar doktori.
Ekspozimi i tepërt në diell për shkak të vitaminës D
Dr Perry pohon se njerëzit mund ta refuzojnë kremin kundër diellit për shkak të vitaminës D, e cila zhvillohet në trup e nxitur nga rrezet e diellit. Mjekët, nga ana tjetër, theksojnë rëndësinë e ngrënies së mjaftueshme për eshtra, dhëmbë dhe muskuj të shëndetshëm.
“Nga fundi i marsit/fillimi i prillit, deri në fund të shtatorit, shumica e njerëzve duhet të jenë në gjendje ta prodhojnë të gjithë vitaminën D që u nevojitet nga rrezet e diellit në lëkurën e tyre. Disa njerëz nuk do të prodhojnë mjaftueshëm vitaminë D nga rrezet e diellit, sepse kanë shumë pak ose aspak ekspozim në diell”, ka shtuar ai.
Ekspozimi i rregullt i krahëve dhe këmbëve gjatë ushtrimeve të rregullta, dy deri në tre herë në javë, do të jetë më se i mjaftueshëm për të grumbulluar mjaftueshëm vitaminë D.