Përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Arabisë Saudite dhe Iranit do të forcojë solidaritetin rajonal, i tha presidenti kinez, Xi Jinping, princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, transmeton Anadolu.
“Dialogu i suksesshëm i kohëve të fundit midis Arabisë Saudite dhe Iranit në Pekin ka ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, gjë që do të forcojë solidaritetin rajonal dhe do të ul tensionet në rajon. Kina do të vazhdojë të mbështesë procesin”, tha Xi në një bisedë telefonike me Mohammed bin Salman, i cili njëherësh është edhe kryeministër i vendit.
Më 10 mars 2023, në Pekin nën kujdesin e Republikës Popullore të Kinës u nënshkrua një marrëveshje për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy fuqive të Lindjes së Mesme, rivalëve dhe fqinjëve, Republikës Islamike të Iranit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Të dy vendet pritet të hapin ambasada në kryeqytet dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes në kryeqytetin kinez.
Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe Iranit që atëherë kanë zhvilluar dy biseda telefonike dhe pritet të takohen gjatë muajit Ramazanit.
“Arabia Saudite vlerëson sinqerisht mbështetjen e Kinës në përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin, gjë që nxjerr në pah rolin e Kinës si një vend i madh përgjegjës”, i tha princi saudit i kurorës presidentit kinez.