Pas sportit të tenisit, ku ekipi kosovar përfundoi sot garat në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, një tjetër sport është përshëndetur nga garat në Algjeri.
Bëhet fjalë për ping-pongun, ku pingpongistët Fatih Karabaxhak dhe Kreshnik Mahmuti kanë përfunduar garimin në edicionin e 19-të të Lojërave Mesdhetare, përcjell KosovaPress.
Të dy pingpongistët kosovarë garuan gjatë tërë ditës pasi ishin të ndarë në grupe.
Karabaxhak ndodhej në Grupin 6, të cilin e përbënin edhe francezi, Bastien Rembert, Federico Giardi i San Marinos dhe Niagol Stojakov i Italisë.
Mahmuti ishte në Grupin 7 me grekun Ioanis Sgoropoulos, Marko Jevtoviq nga Serbia dhe Aboubaker Bourass i Tunizisë.
Të dy, Mahmuti e Karabaxhak, nuk arritën të kualifikohen për në fazën tjetër, pasi pësuan humbje në të tri ndeshjet.
Nga këto përballje, veçohet vetëm sfida e Karabaxhak me garuesin e San Marinos, ndaj të cilit fitoi dy sete kundrejt katër të kundërshtarit.