Përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, sot po viziton Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Qëllimi i vizitës së tij është të diskutojë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të ritheksojë përkushtimin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe të konfirmojë përkushtimin për forcimin e stabilitetit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përballjes me krimin dhe korrupsionin në vend dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi Ambasada Britanike në Shkup.
Pitch do të ketë takim me presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe me liderin e VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski .
Stuart Peach, së bashku me ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe ambasadorin britanik në Shkup, Matthew Lawson, pasdite pritet të marrin pjesë në dorëzimin e donacionit nga Mbretëria e Bashkuar, i cili përfshin 14 njësi të lëvizshme stërvitore për pjesëtarët e ushtrisë në mjedis urban.
Dorëzimi i donacionit do të bëhet në terrenin stërvitor “Krivolak”.
Sot për vizitë në Maqedoni do të qëndrojë edhe Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duke nisur kështu zyrtarisht turneun e saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do t’i kushtohet krizës energjetike.
Një pjesë e ndihmës në fushën e krizës energjetike, siç paralajmëroi Von der Leyen javën e kaluar nga Strasburgu, do të jetë përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor për blerjen e përbashkët të energjisë me vendet e BE-së.
Burimi: portalb.mk