Me 4 maj, një mësimdhënës në Zllakuqan të Klinës, përfundoi nën prangat policore.
Shkak për këtë, ishte një raportim i nxënëses së tij.
Kjo e fundit, tha se kujdestari po i dërgonte në vazhdimësi mesazhe me përmbajtje seksuale.
Por, ngacmimet seksuale në Kosovë, nuk ishin të vetmet raste të kësaj natyre që u raportuan në Policinë e Kosovës këtë vit.
Në vetëm tre muajt e parë të vitit 2026, plot dhjetë raste të dhunimit seksual, u raportuan tek organet e rendit.
Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës, përmes një përgjigje për Tëvë1.
Ndërkohë, psikologet thonë se kjo vepër, lë pasoja të rënda tek viktima.
“Dhunimi në shëndetin mendor të personave që janë viktima të dhunimit ka një efekt shkatërrues për mirëqenien emocionale e dëmton në masë të madhe shëndetin mendor edhe në përgjithësi e shkakton ata që njihet si stresi postrauamtik. Pra pas përjetimit të dhunimit varësisht edhe prej rrethanave të ndryshme, personat e dhunuar zakonisht përjetojnë një mpirje emocionale, nuk përjetojnë më as emocione të mira as të këqija pastaj ju kujtohet vazhdimisht elemente, sekuenca të tjera të procesit të dhunimit, janë në gjendje të parahatueshme dhe humbin besimin te njerëzit e tjerë”, shprehet Naim Telaku-psikolog.
Madje sipas Telakut, kërkimi i ndihmës në këto raste është më se i nevojshëm.
“Mendoj se është e domosdoshme konsultimi me personat që janë kompetent në fushën e shëndetit mendorë, për shkak se dhunimet dinë me qenë prej traumave më të rënda mendore që mundet me i pësua individi. Është e domosdoshme marrja e ndihmës profesionale, përveç kësaj ndihmë nga psikologu ose profesionistëve të tjerë të shëndetit mendor të ketë një lloj informimi apo edukimi të familjes për shkak se familja dhe të afërmit e viktimës mund të ndihmojnë shumë që të tejkalohet një përjetim i tillë”, shprehet ai.
Por sociologët tregojnë se cilët janë faktorët që e shtyjnë një person të bëjë një akt të tillë?
“Dhuna seksuale më shumë i atakon gratë në krahasim me gjininë mashkullore, krijohen steriotipe gjinore pastaj dominanca mashkullore ndaj grave në kontekstin patriarkal aprovohet dhe miratohet. Ashtu që kemi edhe një lloj shmangie apo domosdoshmëri e pranimit të ngacmimeve duke e ditur se kemi të bëjmë me kontekstet tona të dominimi tradicional apo patriarkal të burrave, pastaj një lloj ndershmërie apo turpi ku efekti i dhunimit apo përdhunimeve seksuale më shumë shikohet në atë mënyrë sesa ndonjë incident apo krim dhe mënyra e reagimit dhe raportimit është më e mangët, pastaj kemi edhe pabarazinë sociale ekonomike”, thotë Genx Xërxa.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në 5 muajt e parë të këtij viti, janë shënuar edhe 16 raste të ngacmimit si dhe 10 raste të tjera të sulmit seksual.
Burimi: botasot.info


