3
Shkup, 8 janar – Me sa ngjanë po bëjnë punë të duhur, pasi në veprimet e para të menjëhershme të qeverisë aktuale ishte trajtimi i duhur dhe adekuat i kategorisë më të ndjeshme të qytetarëve, pensionistëve. Jemi mësuar me pamje të tmerrshme kur pensionistët me dridhje të duarve e shkopinjë mbajtës të dalin shpesh herë në rrugë për të kërkuar pensione më të larta, sepse ato që i kishin ishin të pamjaftueshme për t’i përballuar shpenzimet e larta për jetesë, duke shtuar për këtë kategori barnat dhe shpenzimet shtesë për mjekim. Por, tashmë po ndjehen ndryshe sepse qeveria e re ka realizuar premtimin e fushatës zgjedhore ka rritur pensionet, ata tashmë do të marrin 5.000 denarë më shumë, shkruan Zhurnal.
Mexhiti: Dinjitet për pensionistët, 5.000 Denarë më shumë –
“Nga marsi 2025, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë rritjen e premtuar prej 5.000 denarësh brenda një viti. Kjo rritje, e mundësuar nga ndryshimet ligjore të shtatorit 2024, reflekton përkushtimin tonë për të garantuar një jetë më dinjitoze dhe të sigurt për pensionistët. Protestat dhe kërkesat e tyre ishin një thirrje e drejtë, dhe ne e kemi dëgjuar atë. Dhe, nuk mbaron këtu me kaq. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa konkretë për një të ardhme më të mirë për të gjithë! Urime!”, ka shkruar zëvëndëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Pensionistët mirëpresin vendimin e qeverisë për rritjen lineare të pensioneve prej 5 mijë denarësh në dy faza me nga 2500 denarë. Kryetarja e lidhjes së shoqatave të pensionistëve Stanka Trajkova kërkon zgjidhje sistemore dhe afatgjate me ndryshime ligjore.
“Gjithesi do të thotë përmirësim i statusit material të shfrytëzuesve të pensioneve, nëse llogaritet edhe lartësia e pensioneve dhe ajo të merret bazë për rritjet e mëtejme, përkatësisht harmonizim. Por për realizimin e kësaj të drejte patjetër të bëhen ndryshime të caktuara në ligjin për sigurimin pensionalo invalidor. Me këtë rast duhet të mbahet llogari për tri komponenta. E para pensionisti që duhet ta fitojë të drejtën që është figura dhe personaliteti më i rëndësishëm e më pas edhe vet sistemi pensional nga aspekti i qëndrueshmërisë së tij dhe këtu duhet të kihen parasysh edhe të siguruarit në shtyllën e dytë pensionale”, tha Stanka Trajkova nga Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve.
Ata që duhej t’i përfillin pensionistët vetes i kishin siguruar paga mbi 2 mijë euro, por sot janë pjesë e opozitës –
Ndryshe, kur punëtorët shëndetësorë, arsimor, pensionistët e të tjerë kanë nevojë të patjetërsueshme për rritje të pagave për të mbijetuar këtë duhet ta bëjnë përmes formave të ndryshme, bojkot, grevë, e duke dalë në rrugë. Por, zyrtarëve shtetëror i rritet paga vetëm me anë të ndryshimit të një ligji, madje as pa kërkuar. Këtu shihet qartë diferencimi nga të qënurit qytetarë dhe punëtorë në RMV dhe të qënurit zyrtar, kjo është fyerje dhe ofendim për klasën punëtore. Nuk duheshe të rriten pagat e zyrtarëve duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në vend, është gabim skandaloz dhe pasqyrim real se sa zyrtarët brengosen për qytetarët.
Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz i qeverisë së dështuar dhe i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm ishte nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.
Dalja më e hershme në pension krijon produktivitet në punë dhe krijon hapësirë për të rinjtë –
Kujtojmë që, pensionimi sa më i hershëm është shumë produktiv sesa anasjelltas. Për shumë arsye, për faktin se nga pensionimi i hershëm përfitojnë të rinjtë të cilët janë në proces të ndërtimit të karrierës së tyre dhe nuk do mend që planifikimet e tyre janë që sa më shpejt të inkuadrohen në tregun e punës.
Pensionimi i hershëm është i dobishëm edhe për punëdhënësit qofshin ata të sektorit privat apo atij publik, sepse është e pakrahasueshme puna që mund të bëj një i ri dhe një i moshuar. Pra, produktiviteti në punë nga një punëtor i moshës 60 vjeçare dhe atij 25 vjeçar janë diametralisht të dallueshme. Edhe nëse flasim për administratorë, edhe për kudo tjetër performanca në punë pritet nga të rinjtë të cilët kanë entuziazëm.
Prandaj, fakti që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar kërkesën për pensionim në moshën 67 vjeçare është hap i mbarë dhe i mirë. Krijon shpresë që kjo qeveri mendon dhe po vepron duke menduar edhe pozicionin e punëtorëve në ardhje. Pra, që sa më parë moshat rinore të inkuadrohen në tregun e punës. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk