Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Mount Lebanon, në Pensilvani të SHBA-së, ku një baba 42-vjeçar dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Viktimat janë identifikuar si Patrick Lynch, 42 vjeç, djali i tij James, 8 vjeç, dhe vajza Caroline, 6 vjeçe. Të tre u gjetën të pajetë pranë një garazhi parkimi në Mount Lebanon, në zonën e Pittsburgh.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, bëhet fjalë për një rast vrasjeje-vetëvrasjeje. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan t’u jepnin ndihmën e parë, por ndërhyrja rezultoi e pasuksesshme.
Deri më tani, motivet që çuan në këtë tragjedi mbeten të paqarta.
Shefi i policisë së Mount Lebanon, Jason Haberman, u shpreh se ngjarja ka shkaktuar një tronditje të madhe në komunitet, duke theksuar se shumë banorë kanë lidhje me familjen ose personat e përfshirë.
Burimi: botasot.info


