Pendarovski: Pres që afati i lejeve të vozitjes të zgjatet deri në fund të vitit

Gazetar: Lluka Andreev

Presidenti Stevo Pendarovski pret që afati i lejeve të vozitjes të zgjatet deri në fund të vitit. Ai thotë se ka marrëveshje parimore mes Qeverisë dhe opozitës në mënyrë që ndryshimet ligjore të miratohen që sot në Kuvend.

“Rreth 270.000 leje të vozitjes duhet të ndërrohen në dhjetë muajt e ardhshëm dhe kjo është e realizueshme. Është mirë që gjithçka po shkon në atë drejtim dhe që partitë si nga pushteti ashtu edhe nga opozita kanë arritur më në fund konsensus për një çështje që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët”, tha Pendarovski.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se përmes grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dorëzoi ndryshime në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor me qëllim të vazhdimit të vlefshmërisë së lejeve. Ai ka dorëzuar edhe ndryshime në Ligjin për dokumentet e udhëtimit për vazhdimin e afatit të pasaportave.

Ndryshimet në të dy ligjet janë dorëzuar me procedure të shkurtër. Sipas Toshkovskit, ndryshimet e reja të afateve të pasaportave nuk do të nënkuptojnë shkelje të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Paraprakisht, Athina zyrtare tashmë ka filluar të informojë shtetet dhe organizatat ndërkombëtare se pasaportat nga Maqedonia janë të vlefshme deri më 12 shkurt, nëse nuk përmbajnë emrin kushtetues të vendit.

“Vetëm shteti amë që ka lëshuar dokument mund ta anulojë atë dokument. Është shumë e thjeshtë. Së dyti, pohoj me përgjegjësi se me këto ndryshime të propozuara ne nuk cenojmë parimin e “pacta sunt servanda”, lidhur me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe”, tha Pançe Toshkovski– ministër teknik i Punëve të Brendshme.

Ndryshe, përveç ndryshimeve që ministri Toshkovski i propozoi përmes deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në mëngjes edhe LSDM-ja ka propozuar ndryshime ligjore, por vetëm për patentë shoferët respektivisht që të vazhdojnë të vlejnë në territorin e shtetit deri në skadimin e afatit./ Alsat.mk

Burimi: alsat.mk

Story i mëparshëm

Te kush është faji për patentat e shoferëve? Në ditën e fundit partitë u kujtuan për ta vazhduar vlefshmërinë e tyre

Story i radhës

“Të finalizohet me një goditje të fuqishme për…”- Vizita e Blinken në Tiranë, flet ish-ambasadori Agim Nesho

Të fundit nga