Të gjithë filluam nga një pozitë fillestare dhe luanim sipas rregullave e periudhave të caktuara, si shtet u ballafaquam me standarde të dyfishta dhe gjykatës të njëanshëm, që nuk na e vlerësonin atë që e arrinim, tha sot presidenti i shtetit Stevo Pendarovski gjatë dekorimit të katër sportistëve me medaljen “8 Shtatori”.
“Në këtë rrugë të vështirë, arritëm suksese por edhe zhgënjime për qytetarët e Maqedonisë. Energjinë shpeshherë e harxhuam për akuza dhe opstrukcione të ndërsjella, ndërsa në planin e brendshëm sfida më e madhe me të cilën edhe sot e kësaj dite po ballafaqohemi, janë ndarjet e thella brenda shoqërisë maqedonase. Bashkimi është parakushti kyç për sukses”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i RM-së.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se kemi një shtet të përbashkët që e kemi amanet dhe të gjithë kemi përgjegjësi ndaj tij, duke theksuar se në këtë mënyrë do të mbetet e gjallë edhe ëndrra e paraardhësve tanë. Xhaferi tha se procesi i eurointegrimit nuk ka alternativë ose zëvendësim tjetër dhe na mbetet edhe hapi i fundit, andaj nuk ka kthim prapa.
Dita e pavarësisë, 8 Shtatori shënohet me një sërë manifestimesh përkatëse, me ekspozita dhe vizitë të institucioneve të kulturës, muzeve dhe galerive në shtetin tonë.