Shumë personazhe me famë botërore kanë vendosur që të japin kontributin e tyre për të prekurit e luftës në Ukrainë. Përmes rrjeteve sociale, ata tregojnë shumat e mëdha që kanë dhuruar si dhe ftojnë të gjithë që t’u vijnë në ndihmë refugjatëve ukrainas.
Para disa ditësh ishte modelja e famshme, Gigi Hadid, ajo që tregoi se të ardhurat e fituara nga Java e Modës do të shkonin për shtetin ukrainas. Një gjë të tillë e ka bërë edhe motra e saj po modele e njohur, Bella Hadid.
Kjo e fundit ka bërë një postim në “Instagram”, ku shkruan se do të dhurojë të gjitha të ardhurat e saj nga Muaji i Modës në ndihmë të Ukrainës.
“Të shikosh miqtë dhe kolegët e mi ukrainas duke punuar shumë këtu në Evropë, kaq afër, por kaq larg nga familjet/miqtë/shtëpitë e tyre në Ukrainë, të cilët po përjetojnë një nga pushtimet brutale që po ndodhin tani në botë, është shumë emocionuese dhe përulëse për mua. Rrallëherë kemi kontroll mbi oraret tona të punës dhe kjo javë më ka treguar vërtet forcën dhe këmbënguljen e njerëzve rreth meje që po kalojnë një terror të pastër. Të dëgjosh historitë dhe emocionet e tyre është e dhimbshme dhe unë jam me gjithë zemër me ta në mbështetje. Unë qëndroj përkrah çdo personi që është prekur nga kjo luftë dhe jetët e njerëzve të pafajshëm të cilëve u është ndryshuar përgjithmonë nga duart e pushtetit’’, ka shkruar Bella në “Instagram”.
25-vjeçarja shtoi gjithashtu se në bashkëpunim me modelen argjentinase Mica Arganaraz dhe motrën e saj Gigi, do t’i dhurojnë paratë e tyre në mbështetje të Ukrainës.
“Unë do t’i dhuroj të gjitha të ardhurat e mia nga kjo Javë e Modës drejtpërdrejt për organizatat që ofrojnë ndihmë, strehim dhe ndihmë mjekësore për ata në nevojë në terren në Ukrainë, si dhe do të vazhdojnë të mbështesin popullin dhe tokën tonë palestineze”, përfundoi Bella.