Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si pozitiv takimin treorësh të zhvilluar të martën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se dialogu ndërmjet dy palëve pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se LDK-ja iu përgjigj ftesës me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe me synimin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Sot morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, në respekt të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë e LDK-së për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe të shtetit. Ishte një takim i mirë, i mbarë. Trajtuam çështjet që lidhen me ndryshimet programore, politike dhe të ardhmen strategjike. Do të përpiqemi që edhe në ditët në vijim të zhvillojmë diskutime më thelbësore”, deklaroi Abdixhiku.
Ai ritheksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj të bëra publike më herët, duke nënvizuar se formimi i institucioneve të reja kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes forcave politike.
Burimi: botasot.info


