Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj, është liruar nga detyra dje pas skandalit në Spitalin e Pejës.
Media përmes burimeve mëson se Nora Kursani-Demjaha është caktuar ushtruese e detyrës së kryeinspektores së Inspektoratit Shëndetësor.
Lirimi nga detyra i Osmanaj erdhi pas skandalit me foshnjën e vdekur në spitalin e Pejës e cila u fut në rrobalarëse.
Më poshtë e gjeni njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë:
“Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj. Në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoratit Shëndetësor”.
“Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale.
“Në të njejtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi. Ndërsa u. d. Ministrja e Shëndetësisë ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar”.