Në një fjalim video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për t’i dhënë fund “krimeve të luftës” ruse. Fjalimi i tij erdhi pas raportimeve për dhjetëra trupa të gjetur në rrugë dhe varre masive në qytetin ukrainas të Bucha, shkruan CNN, transmeton Bota sot.
“Bota ka parë tashmë shumë krime lufte. Në kohë të ndryshme. Në kontinente të ndryshme. Por është koha të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i bërë krimet e luftës të ushtrisë ruse manifestimin e fundit të një të keqeje të tillë në tokë”, tha Zelensky.
Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve rusë që të mbahen përgjegjës për veprimet e ushtrisë së vendit.
“Dua që të gjithë liderët e Federatës Ruse të shohin se si po përmbushen urdhrat e tyre. Urdhëra të tilla. Një përmbushje e tillë. Dhe përgjegjësi e përbashkët. Për këto vrasje, për këto tortura, për këto krahë të këputur nga shpërthimet që shtrihen në rrugë. Për të shtëna në pjesën e pasme të kokës të njerëzve të lidhur. Kështu do të perceptohet tani shteti rus. Ky është imazhi juaj”, tha Zelensky.
Në fjalimin e tij, Zelensky njoftoi se do të krijohej një “mekanizëm drejtësie” për të hetuar krimet e kryera nga ushtarët rusë në territorin ukrainas. Mekanizmi do të mbështetet nga Ministria e Jashtme, Prokuroria e Përgjithshme, Policia Kombëtare, Shërbimi i Sigurisë, Shërbimi Informativ dhe degë të tjera të qeverisë, tha ai.
“Ky mekanizëm do të ndihmojë Ukrainën dhe botën të sjellë para drejtësisë konkrete ata që shpalosën ose morën pjesë në ndonjë mënyrë në këtë luftë të tmerrshme kundër popullit ukrainas dhe në krimet kundër popullit tonë”, tha ai.
Zelensky tha se do të japë më shumë informacion mbi gjendjen e territorit ukrainas që u pushtua nga forcat ruse.