Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog nisi sot një vizitë dy-ditore në Turqi, duke shënuar një përmirësim në marrëdhëniet që kanë qenë të tensionuara për më shumë se një dekadë. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.
Vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog në Ankara është shenja më domethënëse e përpjekjeve për afrim mes dy vendeve.
Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në vitin 2018 në shenjë proteste ndaj sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës. Por Ankaraja po kërkon të normalizojë marrëdhëniet.
“Turqia dëshiron të kapërcejë izolimin e saj rajonal. Për shkak të hapave të gabuar në politikën e jashtme, ka mbetur jashtë lidhjeve të aleancës në Mesdheun Lindor dhe në Lindjen e Mesme. Vakumi që krijoi Turqia u dha mundësi forcimi vetëm rivalëve të saj rajonalë”, mendon Selin Nasi, analiste e politikës.
Ka pasur protesta të vogla nga mbështetësit e palestinezëve përpara vizitës së presidentit izraelit. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka qenë një mbështetës i fortë i çështjes palestineze.
Zoti Herzog pritet të ngrejë shqetësimet izraelite se Stambolli është bërë një bazë për Hamasin, për të organizuar sulme kundër tij. Por analistët thonë se zyrtari izraelit do të jetë i kujdesshëm. Qëllimi është që Izraeli të përmirësojë lidhjet me Turqinë.
“Në thelb, Izraeli e pranon rolin e rëndësishëm që ka Turqia në Lindjen e Mesme. Është një vend i madh, një fuqi e madhe. Kërcënimi kryesor i Izraelit në Lindjen e Mesme është kërcënimi iranian; nuk i duhen të gjitha këto tensione me Turqinë; nuk është e dobishme për të”, thotë Gallia Lindenstrauss, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Shqetësimi kryesor i Izraelit është programi i energjisë bërthamore i Iranit dhe ndikimi në rritje iranian në rajon. Ankaraja gjithashtu e sheh këtë si problem të përbashkët.
“Presidenti Erdogan, në të kaluarën ka shprehur shqetësimet e tij për këtë, për ndikimin iranian. Ky shqetësim vazhdon të jetë”, thotë Ilnur Cevik, këshilltar i presidentit.
Energjia është një fushë tjetër e bashkëpunimit. Turqia është një treg potencial për gazin natyror izraelit. Analistët thonë se Ankaraja i sheh lidhjet e mira me Izraelin si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
“Turqia ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga mbështetja e lobit izraelit në Kongresin Amerikan dhe duke pasur parasysh faktin se marrëdhëniet e Turqisë me Kongresin Amerikan, në veçanti, janë goxha problematike. Padyshim që ka një përpjekje për të rindërtuar koalicionin që ndihmoi politikisht Turqinë në Kongresin Amerikan”, thotë profesori Soli Ozel.
Uashingtoni ka mirëpritur përpjekjet për marrëdhënie të mira mes këtyre dy vendeve. Vizita e zotit Herzogut shihet si hapi i parë. Analistët thonë se një shenjë e suksesit të kësaj vizite do të jetë nëse të dyja palët bien dakord për një takim të ardhshëm midis presidentit turk Erdogan dhe kryeministrit izraelit Naftali Bennett./VOA