Partizani rikthehet te suksesi në Superiore dhe këtë e bën me një triumf bindës në “Niko Dovana” përballë Teutës me rezultatin 1-4.
Kryeqytetasit mbyllin fazën e parë të kampionatit me tri pikë shumë të rëndësishme, përballë një kundërshtari i cili u dorëzua pa kushte.
Të besuarit e trajnerit Colella dominuan në çdo aspekt, duke mbyllur llogarit që në pjesën e parë dhe për më tepër duke zhbllokuar ndeshjen pas dy minutash lojë me Hoti-n.
Gjithsesi, vendasit reaguan pas 14 minutash, me golin e Grudës, i cili krijoi iluzionet se takimi u rihap. Por, në minutën e 22-të, Da Silva riktheu në avntazh Partizanin, ndërsa në minutën e 34-të, Engjëll Hoti realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për kryeqytetasit.
Në fraksionin e dytë, Teuta nuk gjeti forcën e duhur për të reaguar, ndërsa në krahun tjetër, Partizani mire administroi gjithçka, ndërsa në minutën e 75-të realizoi edhe golin e katërt me sulmuesin Skuka.
Me këtë rezultat, Teuta rikthehet te humbja dhe mbetet në vendin e 9-të me 7 pikë, ndërkohë Partizani merr kreun me 19 pikë.
Në “Loro Boricci”, Vllaznia nuk gaboi ndaj Bylis-it duke triumfuar 2-1.
Në Shkodër të besuarit e Mirel Josës kishin kontrollin e ndeshjes në pjesën më të madhe të saj, ndërsa golin e realizoi fillimisht me Herald Marku-n në minutën e 39-të.
Në fraksionin e dytë, Vllaznia ruajti ritmin dhe administroi, ndërsa ballshiotët vuajtën mungesën e saktësisë përpara portës.
Në minutën e 72-të, Jonuzi realizoi një gol fantastik nga distanca, por i ndihmuar edhe nga portieri mik, Teqja i cili gaboi në reagim.
Në minutat e fundit, në minutën e 82-të, Bylis reagoi me Damcevski-n, i cili shfrytëzoi në maksimum pasigurinë e mbrojtjes shkodrane duke rihapur takimin dhe duke bërë fundin e ndeshjes më interesantë, me portierin vendas, Zogovic i cili ishte protagonist në minutën e 95-të në duelin ndaj Qardaku-t, duke evituar një gol të sigurt.
Vllaznia mbyll kështu fazën e parë me 14 pikë dhe për momentin shkon në vendin e 3-të, ndërsa Bylis mbetet me 11 pikë në vendin e 6-të.