Partia greke në pushtet Demokracia e Re fituese e zgjedhjeve

Partia në pushtet e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re (Nea Demokratia), shënoi fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të Greqisë të dielën, por nuk arriti të sigurojë vota të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë, raporton Anadolu.

Rezultatet e pjesshme nga gati 90 për qind e qendrave të votimit treguan se Demokracia e Re ka marrë 40,80 për qind të votave, e ndjekur nga Syriza e ish-kryeministrit Alexis Tsipras me 20,06 për qind.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Demokracia e Re mblodhi 39.85 për qind, kurse Syriza doli e dyta me 31,53 për qind.

Sipas rezultateve të Ministrisë së Brendshme, Partia Socialdemokrate PASOK-KINAL mblodhi 11,65 për qind, Partia Komuniste Greke (KKE) 7,16 për qind dhe partia e ekstremit të djathtë, Zgjidhja Greke, 4,47 për qind.

Partia MeRA25 e ish-Ministrit të Financave Yannis Varoufakis pati 2,56 për qind, duke mos arritur të kalojë pragun prej 3 për qind për t’u bërë sërish pjesë e parlamentit.

Partia ultra-konservatore Fitorja, e cila thuhet se mbështetet nga Kisha e Greqisë, kishte 2,93 për qind të votave në zgjedhjet e saj të para.

Ngjashëm, partia e majtë “Lundrimi drejt Fitores” e ish-kryetares së parlamentit Zoe Konstantopoulou, e cila u shkëput nga Syriza në 2015, performoi më mirë se sa pritej, duke marrë 2,85 për qind të votave.

Pjesëmarrja në votime ishte pak mbi 60 për qind, sipas shifrave zyrtare.

Rezultatet shënuan një dështim të madh për sondazhet e opinionit në Greqi. Për shembull, sondazhi më i fundit tregoi se Demokracia e Re do të merrte rreth 36 për qind, Syriza shkonte drejt 30 përqindëshit, ndërsa MeRA25 ishte parashikuar të siguronte 4 për qind të votave.

Pavarësisht fitores së saj të madhe, partia e Mitsotakisit nuk do të mund të formojë qeverinë e vetme për shkak të ndryshimeve të fundit në sistemin zgjedhor grek.

Presidentja Katerina Sakellaropoulou do t’i japë liderit të partisë më të madhe tri ditë për të formuar një koalicion.

Nëse kjo dështon, mandati do t’i jepet partisë së dytë më të madhe dhe më pas asaj të tretës.

Nëse palët nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, presidenti do të mbajë një takim me udhëheqësit për të provuar të formojë një qeveri ose të finalizojë një administratë të përkohshme e cila do të mbikëqyrte zgjedhjet e tjera të parakohshme.

Në rast se edhe pas kësaj nuk arrihet marrëveshje, ajo do të emërojë një qeveri të përkohshme e cila do të drejtojë Greqinë deri në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen më 25 qershor.

Për kryeministër të përkohshëm emërohet një zyrtar i lartë gjyqësor, i cili duhet të jetë kreu i një prej tri gjykatave kryesore të Greqisë.

Në raundin e dytë, aplikohet sistemi me përfaqësim gjysmëproporcional, me një bonus, duke e bërë të mundshme që një parti të sigurojë shumicën e nevojshme.

Sipas këtij sistemi, partia fituese merr një bonus prej 20 vendesh nëse ka të paktën 25 për qind të votave, duke shkuar deri në 50 vende nëse ka rreth 40 për qind të votave.

Në deklaratën e tij të parë pas rezultateve, Mitsotakis tha se rezultatet ishin “të rëndësishme”.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës sime”, tha ai, duke iu drejtuar mbështetësve në selinë e partisë.

Ai tha se rezultatet tregojnë se populli grek dëshiron një qeveri të fortë, duke shtuar se partia e tij është gati për raundin e dytë muajin e ardhshëm.

Udhëheqësi i Syrizas, Tsipras, pranoi se rezultatet ishin “jashtëzakonisht të dobëta” për partinë e tij.

Ish-kryeministri tha se ka telefonuar Mitsotakisin për t’ia uruar fitoren.

“Organet e brendshme të Syrizas do të mblidhen menjëherë për të vlerësuar rezultatet”, shtoi ai.

Kreu i KKE-së, Dimitris Koutsoubas, përshëndeti rezultatet si një fitore për partinë e tij dhe klasën punëtore greke, ndërsa kreu i PASOK-KINAL-it, Nikos Androulakis, shprehu gjithashtu kënaqësinë për arritjet e partisë së tij në zgjedhjet e së dielës.





Story i mëparshëm

Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së mblidhen në Bruksel

Story i radhës

Befason Stresi me deklaratën e tij: Kam fituar dyfishin e çmimit të madh në BBV Kosova

Të fundit nga