Na duhet një mendim i qarte dhe i vendosur për të krijuar një elitë të re, e të pa korruptuar politike. Se a jemi në atë rrugë mbetet të shihet. Nuk na duhet elitë, e cila punon vetëm për prapanicat e veta, dhe e cila e shet edhe shtetin.
Nuk na duhen as organizatat kriminale për ta plaçkitur Kosovën. Politikat e mbrapshta për 20 vite kanë shembur në mënyrë brutale, çdo sistem të jetës dhe të punës! Hymë në sistemin shumë partiak pluralist, por zbatuam në praktikë më shumë sistemin e kaluar autokrat komunist.
Kosova zgjodhi apo u vetëzgjodhën në pushtet elitat e korruptuara politike, të cilat e varfëruan dhe izoluan Kosovën. Nuk patëm ndryshime pozitive demokratike. Në emër të këtyre ndryshimeve zgjodhëm pushtete secilin më të dobët së tjetrin.
Zgjodhën pushtete, të cilat zgjodhën rrugën e plaçkitjes, zgjodhën rrugën e kapitullimit. Pa e gënjyer veten dhe askënd, është e vërtetë se shumë kemi dështuar. Kemi dështuar edhe në liri, dhe në pavarësi!
Para nesh është lufta politike e gjatë për ndryshime përmbajtjesore. Luftë është kjo, por më duket që në fund do të fitojë e drejta e popullit. Për të gjitha të ligat që na goditën pas luftës, jemi fajtor të gjithë, na u shpërfaqën të gjitha dobësitë tona, thuaje ishim para një Cunami. Të jemi të sinqertë me veten. Shoqërisë tonë i duhen forca të reja politike, forca të guximshme e kreative, të cilat e vënë interesin e përgjithshëm para interesit personal…