Papa Françesku shtrohet në spital për “disa ditë” për shkak të një infeksioni pulmonar

March 30, 2023
1 minut lexim

Vatikani ka bërë të ditur se Papa Françesku do të qëndrojë i shtruar në spital për “disa ditë” për trajtimin e një infeksioni pulmonar pasi në ditët e fundit përjetoi vështirësi në frymëmarrje, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha se Papa Françesku, 86-vjeçar ka nevojë për “disa ditë terapi mjekësore” pasi testi që iu nënshtrua në spitalin Gemelli të Romës tregoi një “infeksion respirator” që nuk ishte COVID-19.

Bruni njoftoi se dje pasdite Papa ishte në spitalin Gemelli për një kontroll pasi ditëve të fundit vuante nga problemet me frymëmarrjen.

Dje më herët, Vatikani njoftoi se testet mjekësore të Papa Françeskut ishin planifikuar më parë.

Si zakonisht, Papa më herët gjatë ditës kryesoi audiencën e përgjithshme të së mërkurës në sheshin e Shën Pjetrit.

Kujtojmë se Papës në moshë më të re iu hoq një pjesë e njërës mushkëri për shkak të një infeksioni respirator.

Në korrik të vitit 2021, Papa kaloi gjithashtu 10 ditë në spitalin Gemelli pasi iu nënshtrua një operacioni 3-orësh që përfshinte heqjen e një pjese të zorrës së trashë, një operacion i administruar për të trajtuar divertikulitin.

Ai po ashtu ka problem me gjurin duke e detyruar atë shpesh të përdorë një karrige me rrota gjatë muajve të fundit.

Papa ka anuluar të gjitha audiencat e tij deri të premten, por tani mbetet e paqartë nëse ai do të jetë në gjendje t’i konfirmojë planet për Javën e Shenjtë më 2-8 prill.

Në intervistat e fundit, ai tha se mund të japë dorëheqjen ashtu si paraardhësi i tij Benedikti XVI nëse shëndeti i tij e bën të pamundur të vazhdojë ta bëjë punën e tij.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Figo: Këto dy skuadra janë favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve

Story i radhës

​Gjini e nderon me titullin “Nderi i Gjakovës”, boksierin Bernardin Nikaj

Të fundit nga

ShkoLartë