Pamjet/ Situatë e rëndë, përmbytje tragjike në Kroaci

min lexim

Kroacia është goditur dje nga një stuhi e fortë shiu që ka shkaktuar përmbytje të mëdha. Trafiku në disa pjesë të Rijekës, përfshirë pjesën më të madhe të qendrës, është i bllokuar dhe të gjitha shërbimet e urgjencës janë në terren. Shkollat, muzetë, ndërtesat e rektoratit dhe policisë, shtëpitë dhe ndërtesat në të gjithë Rijekën u përmbytën, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index. Vetura të shumta kanë mbetur në rrugët e përmbytura. 

Policia e Rijekës ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 19:30 ka marrë njoftim se një burrë është gjetur i vdekur në përmbytje nën një veturë. Në momentin që kishte mbërritur ambulanca, ai kishte vdekur.

“Është rruga Franje Raçki, shkon tatëpjetë në qendër të qytetit. Burri po ecte dhe meqë ishte tatëpjetë, uji e tërhoqi”, tha një banore e Rijekës për Dnevnik.hr. “Ai u rrotullua në rrugë rreth pesëdhjetë metra nën vërshimin e ujit të rrëmbyeshëm dhe u ndal nën furgon. Kur u përpoq të ngrihej, përrua e tërhoqi nën furgon”, shtoi ajo.

“Më pas erdhi një burrë tjetër dhe e nxorri jashtë për dhjetë minuta. Ne pamë se çfarë po ndodhte dhe thirrëm 911 dhe zjarrfikësit”, tha ajo.

Sipas të dhënave jozyrtare, 140 litra shi për metër katror kanë rënë për dy orë mbrëmjen e së mërkurës në Rijekë. Trafiku nëpër rrugët e qendrës është paralizuar.

Kryetari i Komunës së Rijekës, Marko Filipoviq, u ka thënë qytetarëve në profilin e tij në rrjetet sociale që të qëndrojnë në shtëpi, nëse nuk duhet urgjentisht të dalin nga shtëpia.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shërbimet e urgjencës, njerëzit janë në terren, po punohet për heqjen e dëmeve, gjithçka që mund të riparohet për momentin dhe sa më shumë që të jetë e mundur, edhe një herë ju bëj thirrje të kem kujdes, sidomos nëse kaloni nëpër qendër”, ka deklaruar Filipoviq.

Kryekomandanti i zjarrfikësve i JVP Rijeka Inko Mance tha për RTL Direkt se zjarrfikësit mund të bënin pak në këtë situatë.

“Problemi më i madh është sasia e madhe e ujit në rrugë, prioritet është shpëtimi i njerëzve që kanë ngecur”, tha Mance.

Mance tha gjithashtu se zjarrfikësit kanë marrë një numër të madh thirrjesh për ndihmë.

Kryetari i komunës së Rijekës, Marko Filipoviq, tha se gjendja është alarmante.

“Kemi vite që nuk kemi një përmbytje si kjo, qendra e qytetit është përmbytur, është e pamundur të kalohet. Të gjitha shërbimet e urgjencës janë në terren, lavdata për zjarrfikësit dhe punonjësit e ujësjellës kanalizimeve”, tha ai.

Story i mëparshëm

​Infantino sot viziton Shqipërinë, nesër Kosovën

Story i radhës

Messi mund të kthehet në Barcelonë pas Kampionatit Botëror

Të fundit nga