​Pakujdesia dhe mungesa e kontejnerëve, mbeturinat kaplojnë Prishtinën

min lexim

Mbeturinat janë kthyer në shqetësim për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Mungesa e kontejnerëve e përkeqëson edhe më shumë situatën. Ndërsa në shumë raste ku ka kontejnerë ato janë të stërmbushur pothuajse në shumicën e kohës. Qytetarët janë të pakënaqur, ndërsa nga kompania “Pastrimi” thonë se janë duke bërë maksimumin. Komuna e Prishtinës thotë se janë të vetëdijshëm për mungesën e kontejnerëve por blerja e tyre janë të përfshira në buxhetin e vitit 2023.

Qytetarët nuk janë të lumtur me atë çfarë shohin çdo ditë nëpër rrugët e kryeqytetit. Ozan Mesherkan është një prej tyre. Ai jeton në lagjen “4 Llulla” dhe thotë se mbeturinat janë vërtetë problem pasi nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm. Ai kërkon më shumë kujdes edhe nga bizneset.

Mesherkan: S’ka kontejnerë të mjaftueshëm

“Është kohë e gjatë që jemi duke u ballafaquar me këtë problem me mbeturina, nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm për kaq banorë të lagjes po shpresojmë që Komuna e Prishtinës që do të merr hapa ndaj këtyre problemeve që i kemi… Këto mbeturinat e dyqanet që i vendosin nuk e di se kush është përgjegjës menaxherët e dyqanet apo kompanitë e mbeturinave… Ka raste që mbeturinat e dyqaneve që janë përballë zyrave hyn në zyrën time dhe duhet vetë t’i pastroj….  Kërkesa jonë është që të bëhet një zgjidhje sepse është lagje e frekuentuar, njëra ndër më të frekuentuar në Prishtinë, nëse këtu nuk marrin masa nuk e di për çka punojnë”, foli ai.

Ndërsa qytetari tjetër, Agim Ademi, i cili jeton jashtë vendit, thotë se sa herë vjen në Prishtinë i bie në sy për të keq mbeturinat në kryeqytet.

Ademi: Mbeturinat po shëmtojnë qytetin

“Prishtina është shumë i ndotur, hedhin mbeturina dhe shoh jashtëzakonisht mungesë të ndërgjegjes. Pikë së pari nuk klasifikohen plastika, qelqi ose kanaçet, këto bëhen më një vend se ku shkojnë nuk kam ide. Përveç që është një dëm shumë i madh i natyrës, e shëmton qytetin.. Le të marrin hapa më radikal sidomos në klasifikimin e mbeturinave qelq, plastik, letër dhe të gjitha këto të riciklohen, ku dikush mund të përfitoj prej tyre”, tha ai.

Nga Kompania Rajonale për Mbeturina “Pastrimi”, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe bartjen e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, thotë se janë duke bërë maksimumin me kapacitetet që kanë që kryeqyteti të jetë i pastër.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbënore Ademi, tha se mungesa e kontejnerëve vjen edhe si rezultat i papërgjegjësisë së disa qytetarëve të cilët i djegin ato.

Ademi: Janë të djegur afro 400 kontejnerë

“Siç është e njoftuar kompania e ‘Pastrimit’ dhe të gjithë klientët tanë që nuk është numri i mjaftueshëm në lokacionet ku është e parashikuar që të ketë kontejnerë, kjo vjen si rezultat nga dëmtimi çdo ditë që ndodh tek kontejnerët metalikë dhe sigurisht nga djegia e kontejnerëve të plastikës që janë të djegur afro 400 kontejnerë e që kjo për kompaninë e ‘Pastrimit’ do të thotë shumë. Vazhdimisht kemi bërë apel tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave mirëpo kjo vjen si rezultat që të ketë mungesë të kontejnerëve. Kjo nuk e arsyeton faktin që qytetarët të hedhin mbeturina vend e pa vend pasi që në çdo lokacion që është e parashikuar të ketë kontejner ka kontejner… Ballafaqohemi me sfida të ndryshme njëra ndër to është edhe djegia e kontejnerëve të plastikës dhe dëmtimi i kontejnerëve të metalit, hedhja vend e pa vend e mbeturinave”, tha ajo.

Ademi mohoi se ka neglizhencë nga ana e kompanisë “Pastrimit” në mirëmbajtjen e kontejnerëve dhe grumbullimin e mbeturinave. Megjithatë pranoi se sfidë mbeten pajisjet e vjetruara.

Ademi: Në zonat e frekuentuara largimi i mbeturinave bëhet 4-5 herë brenda ditës

“Ekipet tona gjatë 24 orëve janë në teren për kryerjen e shërbimeve për largimin e mbeturinave… 2.52 Frekuentimi më i madh i gjithë qytetarëve është në kryeqytet dhe si rezultat i kësaj në qendrat ku është frekuentimi më i madh, shërbimi i largimit të mbeturinave kryhet 4-5 herë brenda 24 orëve… Pajisjet teknike të cilat i kemi janë të vjetruara ka vite të cilat të cilat i kemi në përdorim…”, përfundoi ajo.

Kp ka tentuar të marrë një qëndrim në lidhje me këtë shqetësim edhe nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtit nuk kanë qenë të të gatshëm të përgjigjen në pyetjet tona.

Mirëpo, ditë më parë, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimi në rrjete sociale tha se blerja e kontejnerëve dhe kamionëve për grumbullimin e mbeturinave është planifikuar me buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Kemi mungesë të kamionëve dhe të kontejnerëve. Këtë vit ka qenë e pamundur të blejmë kamionë të rinj, sepse nuk i kemi pasur të përfshira në buxhet. Blerjen e kamionëve të rinj e kemi planifikuar në buxhetin 2023. Gjendja është e rëndë, por do ta përmirësojmë sepse e kemi prioritet”, shkroi Zogaj

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Apeli i GJKKO dënon për shpifje ish-deputetin, ja gjoba që duhet të paguajë

Story i radhës

Ukraina merr fonde shtesë emergjente nga FMN

Të fundit nga