695 mijë pensionistë do të përfitojnë nga Pakoja e Madhe, duke marrë nga 8 mijë lekë të reja.
Lajmin e ka bërë me dije Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se 1 milionë shqiptarë do të kenë pjesën e tyre, dhe do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20 mijë lekë të reja, si një mbështetje për të zbutur inflacionin e luftës.
“MIRËMËNGJES dhe me kënaqësinë e faktit se 695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja), për të zbutur impaktin e inflacionit të luftës deri në fund të këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Ditën e enjte, Rama njoftoi se Qeveria do të japë 8 miliardë lekë në mbështetje të shtresave në nevojë për festat e fundvitit. Nga kjo “Pako e Madhe”, përfitojnë 1 milionë individë, të cilët do të mund të marrin mbështetjen financiare në ditët e para të janarit.