Pakoja prej tre ligjesh për arsimin e lartë, e cila ndodhet në procedurë parlamentare, vazhdon të mbetet e bllokuar pasi nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme sipas mekanizmit të Badenterit. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se pret që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për miratimin e tyre, duke theksuar se vonesat janë në dëm të të rinjve.
Janevska tha se është e gatshme të marrë pjesë edhe në një debat tjetër publik në Kuvend për Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligjin për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë. Sipas saj, këto projekt ligje nuk prekin çështjet që lidhen me përfaqësimin e drejtë të komuniteteve, por kanë të bëjnë me organizimin e arsimit të lartë, ngritjen e cilësisë së profesorëve dhe rritjen e punës praktike gjatë studimeve.
“Këtu bëhet fjalë për elemente meritore, për organizimin e arsimit të lartë, për cilësinë e profesorëve dhe për më shumë punë praktike gjatë studimeve. Pra, për elemente që shteti duhet t’i ketë nëse dëshiron të ketë një sistem të qëndrueshëm të arsimit të lartë, kuadro cilësorë dhe njerëz që në të ardhmen do ta udhëheqin dhe do ta mbrojnë këtë shtet.
Ajo që kërkojnë këto ligje nuk është në dëm të askujt, por është në dobi të të rinjve dhe të personelit arsimor. Nëse mekanizmi i Badenterit përdoret si mjet për të arritur zgjidhje politike, mendoj se kjo nuk është e drejtë, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin, aty ku nuk duhet të përdoret”. – Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk
Burimi: lajmpress.org


