Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se lumi Erenik në Junik do të jetë lumi i parë në Kosovë që do të rehabilitohet përmes zgjidhjeve të bazuara në natyrë.
Pacolli-Dalipi, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se projekti synon largimin e betonizimit dhe rikthimin e karakteristikave natyrore të lumit dhe zonës përreth.
“Ereniku i Junikut do të jetë lumi i parë në Kosovë që çlirohet nga ngulfatja e betonit dhe rehabilitohet tërësisht përmes Nature-Based Solutions (Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë), duke i kthyer zonës të gjithë magjinë e saj natyrore”, ka shkruar ajo.
Sipas ministres në detyrë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do ta marrë përsipër realizimin e plotë të projektit.
Ajo ka bërë të ditur se për këtë çështje ka zhvilluar takim me kryetarin e Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ku janë dakorduar hapat e mëtejmë për realizimin e projektit.
“Tani e tutje projektojmë me natyrën e jo kundër saj”, ka deklaruar Pacolli-Dalipi.
Burimi: botasot.info


