Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ka mandat që të ndërmarrë iniciativa për të ngritur padinë kundër Serbisë për gjenocid por do të ofrojë dëshmitë që i posedon, kurdo që institucionet ia kërkojnë. Kështu thotë në një intervistë për KP, drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, sipas së cilit, për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon, duhen hapa për vendosjen e drejtësisë.
Në institutin e formuar nga ekzekutivi në fund të 2023-ës, tashmë nga komunat e Kosovës dhe institucionet e ndryshme, janë dorëzuar dokumente dhe materiale që dokumentojnë krimet e luftës.
Hetemi thotë se deri tani kanë grumbulluar mbi 200 metra material arkivor dhe mijëra orë video-incizime dhe materiale që janë dëshmi e krimeve që serbe në Kosovë.
Hetemi: Nuk kemi mandat të ngremë padi për gjenocid, por jemi të obliguar që t’i ofrojmë dokumentet që posedojmë
“Ne si institut nuk është që kemi mandat që të marrim iniciativa sa i përket padisë e kështu me radhë, mirëpo kurdo që institucionet e tjera që e kanë këtë mandat e marrin ndonjë iniciativë të tillë, Instituti është i obliguar që t’i ofrojë dëshmitë dhe dokumentet të cilat i posedon në mënyrë që institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre edhe në këtë drejtim. Përndryshe, instituti ka më tepër karakter akademik…është e domosdoshme që për tu arritur një paqe e qëndrueshme në rajon fillimisht të bëhet dokumenti i mirëfilltë gjë të cilën jemi duke e bërë pastaj të merren hapa për vënien e drejtësisë në vend, reparacionin e kështu me radhë por këto i bëjnë institucionet tjera”, thotë ai.
Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se qeveria e tij do përgatisë padinë kundër Serbisë për gjenocid, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Diçka konkrete nuk është parë në këtë drejtim.
Një muaj më parë Kurti tha se nuk mund të jap detaje për këtë, duke theksuar se përgatitjet janë të thella dhe komplekse.
“Duke pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor, këto përgatitje jemi të detyruar që t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, tha Kurti më 11 nëntor pasi zhvilloi vizitë në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Megjithatë, materiale të ndryshme tashmë janë arkivuar në këtë institut.
Hetemi: Kemi mbi 200 metra gjatësi material fizik dhe mijëra orë video incizime
“Llojet e materialeve që instituti mbledh, janë materiale të shkruara, dokumente të caktuara në letër, pastaj video-materiale dhe audio e foto-materiale. Deri më tani kemi arritur që të grumbullojmë mbi 200 metra gjatësi material fizik arkivor për 15TB [terrabajt] material digjital që do të thotë mijëra orë video incizime, foto-materiale e auto-materiale që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës. Vlen të theksohet gjithashtu se numri i atyre të cilët kanë dorëzuar materiale përfshirë institucione të ndryshme, tani kemi arritur bashkëpunime dhe kemi mbledhur materiale në 31 komuna të Kosovës, ministri të caktuara, organizata joqeveritare, individë apo koleksionistë privatë të cilët kanë grumbulluar apo kanë pasur në posedim materiale të kësaj natyre”, thotë ai.
Ai shton se materialet të cilat i ka krijuar instituti paraprak, që ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, tashmë gjenden në arkivat e këtij institucioni.
Hetemi: Krijimi i një formati të tillë të këtij instituti i vonuar
“Padyshim që është vonë krijimi i një instituti në formatin siç është krijuar tani, i krijuar me ligj, me një mbështetje të institucioneve….Ka qenë fat në fatkeqësi që gjatë kësaj periudhe, kur ka pasur mungesë të një instituti, institucionet në baza vetanake, madje edhe organizatat e ndryshme, kanë dhënë një kontribut të veçantë edhe mediat përmes raportimeve të tyre…kanë punuar në baza individuale apo në baza të organizatave të tyre dhe fatmirësisht ne sot i kemi ato dëshmi dhe ato dokumente dhe e kemi institutin që është duke shërbyer si pikë grumbullimi ku përfundojnë të gjitha këto materiale të cilat pastaj mund të shfrytëzohen prej mediave, institucioneve, shoqërisë në përgjithësi, institucioneve akademike”, thotë ai.
Hetemi thotë se ky institucion, tani ka dhjetë zyre në Prishtinë, një depo arkivore me 50 metra katror, si dhe ka bërë një shtrirje rajonale në të gjithë Kosovën.
Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte krijuar edhe në vitin 2011, por ishte mbyllur shtatë vjet më vonë, duke vazhduar punën vetëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në Divizionin për Drejtësi Tranzicionale.
Burimi: botasot.info