Një fenomen i ri politik ka shpërthyer në Ballkanin Perëndimor: kalimi nga revizionimi i historisë moderne ballkanike në pacifizmin e ri ballkaniko-perëndimor. Flamurin e këtij pacifizimi të ri ballkanik e kanë marrë në dorë kryeministrat e disa shteteve të mikrorajonit. Kulminacionin e pacifizmit pakufi e arriti në 11 korrik kryeministri i Malit të Zi Abazoviç, i cili në fjalimin e tij të mbajtur në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Bosnje me rastin e 27 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, lëshoi disa teza skandaloze: “Gjenocidi nuk u bë kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve. Atë nuk e bëri ushtria, por politikanët”.
Ishte një shok i padëgjuar kjo apologji flagrante për kriminelët e luftës, që e kryen gjenocidin kundër popullit boshnjak. Një deklaratë halucinante, që u heq identitetin kombëtar viktimave boshnjake të gjenocidit serb dhe u fsheh identitetin kombëtar gjenocidistëve serbë. Duke i shpallur pa identitet kombëtar viktimat boshnjake të gjenocidit kryeministri malazez merr direkt në mbrojtje kriminelët serbë. Në emër të pacifizmit të ri ballkanik pamë një përpjekje që të maskohet gjenocidi serb si një çfaqje e natyrës njerëzore të vrasjes së njeriut nga njeriu dhe jo siç është realisht politikë gjakatare e një shteti si Serbia kundër popullit dhe shtetit boshnjak. Abazoviç u përpoq në 12 korrik të justifikonte tezat e tij të apologjisë së krimit serb ”se kisha qëllim paqen”.
Tezat pacifiste të kryeministrit Abazoviç janë një shtrembërim flagrant i së vërtetës dhe i së drejtës juridike e historike. Sepse janë dy gjykata ndërkombëtare të Hagës, që e kanë përkufizuar si gjenocid kundër popullit boshnjak, të kryer nga forcat e armatosura të së ashtuquajturës “serpska republika”. Janë dy rezoluta të parlamentit europian në 7 korrik 2005 dhe në 15 janar 2009, të cilat e kanë përcaktuar si gjenocid serb kundër popullit boshnjak. Madje edhe parlamenti i Serbisë ka miratuar në 31 mars 2010 një deklaratë, ku dënon krimin e kryer kundër popullsisë boshnjake në Srebrenicë.
Një ditë para datës përkujtimore, në 10 korik 2022 përfaqësuesi i lartë dhe nënpresident i Komisionit Europian, Josep Borrell, dhe Komisioneri i BE për zgjerimin, Oliver Vrahelyi, publikuan një komunikatë të përbashkët me rastin e 27 vjetorit të gjenocidit, ku deklarojnë në emër të BE se në Srebrenicë “Europa dështoi dhe ne përballemi me turpin tonë. Nuk ka vend në Europë për mohim të gjenocidit, për revizionizëm dhe për glorifikimin e krimeve të luftës”. BE jep kështu alarmin për rrymën e rrezikëshme politike në Ballkanin Perëndimor për revizionimin e historisë së luftës në Bosnje dhe të gjenocidit të Srebrenicës, të fshehjes së tij dhe sidomos të glorifikimit të krimeve dhe të kriminelëve të luftës, që është praktikë dhe politikë zyrtare në Serbinë e sotme.
Tezat e rrezikëshme pacifiste, që lëshoi kryeministri malazez janë në kundërvënie direkte ndaj të drejtës juridike dhe historike të popullit martir boshnjak, janë një përdhosje morale e jetës së atyre mbi 8 mijë burrave dhe fëmijve boshnjakë, që u masakruan nga forcat usharake serbe. Ato janë në kundërshtim me vendimet e Gjykatave Ndërkombëtare të OKB në Hagë, si dhe me qendrimet zyrtare të SHBA, të NATO-s dhe të BE për Srebrenicën.
Së pari, kryeministri malazez përpiqet të mohojë se gjenocidi serb kundër popullit boshnjak u krye për shkak të urrejtjes raciste kombëtare të serbëve kundër popullit boshnjak. Së dyti, kryeministri malazez përpiqet të mohojë se gjenocidi serb kundër boshnjakëve u krye për motive të urrejtjes fetare, sepse ata i përkisnin fesë myslimane. Portali malazez “cdm.me” shkruante në 11 korrik lidhur me tezat e kryeministrit malazez për Srebrenicën: “Abazoviç i solli një turp historik Malit të Zi. Njerëzit në Srebrenicë u vranë, sepse ata ishin boshnjakë”.
Teza e kryeministrit malazez kërkon të fshijë identitetin kombëtar të viktimave të gjenocidit serb, si dhe identitetin kombëtar të kriminelëve, që bënë gjenocidin. Sipas kësaj teze pacifiste, serbët nuk ishin kryrësit e gjenocidit, nuk ishin shkaktarë të agresionit të përgjakshëm kundër Bosnjes, ku u vranë 200 mijë boshnjakë. Sipas modelit të shtrembëruar historik të pacifistëve të rij ballkanikë, ajo që ngjau në Srebrenicë ishte një grup njerëzish, që luftonin kundër një grupi njerëzish.
Është tepër i ulët ky shtrembërim, sepse Srebrenica nuk ishte betejë luftarake midis dy forcave ushtarake, por ishte arrestim masiv nga ushtria serbe i burrave dhe femijëve civilë boshnjakë të paarmatosur, të cilët u grumbulluan dhe u vranë barbarisht ne mënyrë masive. Ja çfarë deklaroi në 11 korrik kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, për përvjetorin e Srebrenicës: ”Ne kujtojmë me përulje më shumë se tetë mijë boshnjakë, burra, fëmijë dhe civilë të vrarë në Srebrenicë”.
Apologjia e krimit gjenocidial serb shkallëzohet me tezën tjetër absurde dhe kriminale se gjenocidin në Srebrebicë nuk e bëri ushtria, por e bënë politikanët. Së pari, kryeministri malazez i fsheh përkatësinë dhe shenjën kombëtare ushtrisë serbe, që kreu gjenocidin. Ushtria serbe ishte e vetmja forcë ushtarake e armatosur në Srebrenicë. Të masakruarit boshnjakë ishin të gjithë civilë. Së dyti, kjo tezë merr direkt në mbrojtje kriminelët e luftës të dënuar në Hagë si gjenerali Mlladiç, Radovan Karaxhiç dhe bandat e tyre ushtarake, që kryen gjenocidin. Me tezën e re të kryeministrit malazez tani kasapi i Srebrenicës Mlladiç mund të kërkojë rishikim procesi, sepse nuk e paska kryer ushtria e tij gjenocidin dhe ai duhet të përjashtohet nga faji i masakrimit të tetë mijë boshnjakëve.
Tezat e turpshme, që hodhi në emër të pacifizmit kryeministri i Malit të Zi për të deformuar të vërtetën e gjenocidit serb shkaktuan një stuhi të fortë zemërimi në Bosnje, në popullin që vuajti gjenocidin serb. Shoqata e mirënjohur “Nënat e Srebrenicës” me një deklaratë në 11 korrik i dënoi tezat e tij dhe theksoi se “fëmijtë tanë u vranë pikërisht pse ishin boshnjakë, dhe u vranë nga një ushtri e organizuar”. Reuf Bajroviç, nënpresident i “Aleancës Amerikano-Europiane” në Uashington deklaroi se kjo që bëri Abazoviç “është një turp historik për Malin e Zi”.
I befasuar nga kjo valë zemërimi, që shkaktoi në Bosnje dhe në Mal të Zi, Abazoviç u detyrua t’i kërkojë të falur “Nënave të Srebrenicës“ “për mendimin tim të shprehur në mënyrë të vagët”.
Vëzhgues në Mal Të Zi bëjnë lidhje midis tezave të Abazoviçit në Srebrenicë dhe vendimit të qeverisë së tij tre ditë më parë në 8 korrk për të miratuar marrëveshjen e dyshimtë antimalazeze me kishën ortodokse serbe. Portali “serbia.postsen.com”, nën titullin “kontrata e Abazoviçit me kishën ortodokse serbe mbron priftërijtë që bekuan gjenocidin në Srebrenicë”, shkruan se “Dritan Abazoviç ka ardhur në pushtet me ndihmën e peshkopit Amfilohije”. Portali i mësipërm njofton se një ditë para fjalimit të tij në Srebrenicë mediat serbe njoftuan një kontratë të re: vëllai i Dritanit, Xhihan Abazoviç, nisi një biznes privat me Milica Gjuriç, partnere e kryeministres serbe Ana Bernabiç.
Pacifizmi i ri i kryeministrit malazez Abazoviç është konkretizim i një platforme të njohur të Serbisë, e cila jo vetëm ka revizionuar historinë e Srebrenicës, por arrin deri atje sa që e mohon fare edhe si ngjarje. Po të ndjekësh mediat serbe dhe ruse këto ditë do të shohësh vërshimin e një propagande të rreme, që e mohon fare Srebrenicën. Ato mbështeten në versionin zyrtar të Rusisë, të deklaruar nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtëme Ruse, Maria Zaharova, e cila pa iu skuqur faqja e quan Srebrenicën “vënie në skenë nga regjisorë”. Edhe qeveria serbe dhe presidenti Vuçiç e mohojnë gjenocidin serb dhe glorifikojnë gjithë kriminelët serbë të luftës. Madje presidenti Vuçiç para pak kohe e shpalli publikisht “të pafajshëm” kryekriminelin Millosheviç. Presidenti Vuçiç i ka vënë sot kriminelët serbë të luftës në postet, podiumet dhe në panelet zyrtare të nderit në Serbi.
Apologjia dhe fshirja e së vërtetës kriminale të Srbrenicës dhe të agresioneve shtetërore serbe kundër katër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, i duhet tani presidentit serb Vuçiç që të përligjë marrjen e kurorës së udhëheqësit të projektit të tij “Ballkan i hapur”. Pacifizmi i rremë çfaqet si një metodë e mirë për ta bërë këtë apologji dhe amnisti të krimit dhe të kriminelëve serbe, sepse maskohet pas retorikës së paqes në Ballkanin Perëndimor. Paqen pra do ia sjellin tani Ballkanit Perëndimor ata që i bënë përgjakjen popujve të rajonit dhe që nuk kanë shlyer ende asnjë detyrim ndaj popujve, që përgjakën.
Nuk doli pacifizmi i ri rastësisht në skenën ballkaniko-perëndimore menjëherë pas projektit serb të “Ballkanit të hapur”. Është paradoksale, por e vërtetë, që Serbia autore e katër agresioneve kriminale kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, merr tani flamurin e arkitektit të paqes dhe harmonisë me projektin e “Ballkanit të hapur”. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e përgjakëshme, që ka kryer në Bosnje dhe në Kosovë. Serbia nuk ka paguar reparacionet e luftrave të saj kundër popujve joserbë.
Pacifistët e rij ballkaniko-perëndimorë, që për fat të keq janë kryeministra, kanë qejf të përdorin metafora dhe krahasime letrare për të mbjellë optimizëm për paqen globale, që do të sjellë Serbia në Ballkan. Nuk dihet se kush ua ka mbushur mendjen se në Ballkanin Perëndimor apo në ish-Jugosllavinë e cunguar, “Ballkani i hapur” serb do të sjellë paqen franko-gjermane.
Një krahasim absurd historik, juridik, politik, diplomatik, moral, zhvillimor, kulturor, etj. etj. Kryeministrat pacifistë të Ballkanit Perëndimor, që duan të shesin ëndrra në diell, përpiqen që njerëzit të harrojnë disa pangjashmëri. Gjermania i kërkoi të falur Francës për pushtimin dhe krimet e nazistëve. Gjermania i pagoi Francës reparacione lufte për vrasjet, krimet dhe shkatërrimet në territorin francez. Ministrat e qeverisë naziste u dënuan nga gjyqi i Nurembergut dhe u pushkatuan për krimet e tyre. Në qeverinë gjermane të pasluftes të kancelarit Adenauer, që bëri pajtimin e madh franko-gjerman me presidentin De Gol ne 1963, kishte jo asnjë ministër nazist, por as edhe një portier dere nazist. Nazistët në Gjermani janë ndjekur dhe dënuar nëpër gjyqe gjatë 77 vjetëve që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Në datën 28 qershor 2022 gjykata në Gjermani dënoi me pesë vjet burg një burrë 101 vjeç, që kishte qenë roje në një kamp përqendrimi.
Një krahasim me Serbinë duhet t’i turpërojë pacifistët ballkanikë kryeministra. Presidenti Vuçiç ka qenë ministër i qeverisë fashiste të Millosheviçit. Pak ditë para gjenocidit të Srebrenicës Vuçiç deklaronte se për një serb të vrarë ne do të vrasim 100 boshnjakë myslimanë. Kryetari i parlamentit serb Ivica Daçiç ka qenë ministër i qeverisë fashiste të Millosheviçit. Zëvendëskryeministrja Maja Gojkoviç ka qenë po ashtu zëvendëskryesministre në qeverinë fashiste të Millosheviçit.
Por tani befas ministrat e qeverisë fashiste të Millosheviçit me qeverinë e Vuçiçit janë konvertuar në apostuj të paqes në Ballkan dhe me projektin i tij “Ballkan i hapur” kanë gjetur çelsin e paqes qiellore ballkaniko-perëndimore. Konvertimin e ministrave fashistë serbë në apostuj të paqes e besojnë idiotët e dobishëm të Serbisë në kryeqytetet e rajonit, ku shquhen kryeministrat e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi. U shndërruan shpejt në dishepuj të pacifizmit të ri filoserb.
Në skenën politike pacifiste rajonale po bie shumë në sy zelli figurativ i kryeministrit të Shqipërisë, i cili nisi thurrjet letrareske për të harruar të kaluarën e kriminelëve për hatër të paqes rajonale, sepse sipas tij “nëse do të hyjmë çdo javë nëpër cepa duke kërkuar merimanga, minj dhe hije të së kaluarës do të vonojmë vetëveten pafundësisht”. Kryeministrit të Shqipërisë i duket vogëlsi e parëndësishme që Serbia ka vrarë nja dyqind mijë boshnjakë dhe nja 20 mijë shqiptarë të Kosovës, që ka deportuar nja dy milion boshnjakë dhe nja një milion shqiptarë të Kosovës. Për pacifistët kjo quhet e kaluar, për të cilën ia vlen edhe të mohosh e shtrembërosh historinë e gjenocidit të Srebrenicës apo të Kosovës.
Pacifistët e rij kryeministra të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut po amnistojnë Serbinë edhe me mohimet e realiteteve historike ballkanike, edhe me tellallizmin për “Ballkanin e hapur” serb. Pacifistët, qofshin edhe kryeministra, përgjithësisht janë naivë ose shtiren si naivë. A mund të shkojnë dot në Izrael kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi dhe të guxojne t’u thonë izraelitëve se duhet ta harrojnë holokaustin për hir të së ardhmes, të harrojnë çifutët që u vranë në holokaust, sepse nuk u vranë si çifutë por si njerëz, dhe se ata nuk i vrau ushtria naziste, por politikanët. Nëse dy kryeministrat me origjinë shqiptare do të guxonin ta bënin këtë në Izrael, atëhere edhe në Ballkanin e mjerë Perëndimor do të rritej kuota e besueshmërisë së tyre. Përkrahja e tyre vetëm nga presidenti serb Vuçiç nuk i bën dot të besueshëm në shtetet e tyre./Dita