Pacientët onkologjikë nesër do të mbajnë protestë simbolike para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të mungesës së vazhdueshme të terapisë në Klinikën e Onkoligjisë. Për të mos u ekspozuar ndaj temperaturave të larta, vetëm disa pacientë do të marrin pjesë, për t’ua rikujtuar institucioneve se mungesa e vazhdueshme e terapisë onkologjike mbetet problem serioz për pacientët.
Ana Marjanoviq nga shoqata “Hema-Onko” për TV24 tha se askush nuk pyet se si ndihen pacientët kur kthehen pa e marrë terapinë për shkak të shtyrjes ose mungesës së saj.
Marjanoviq, e cila vetë është paciente onkologjike, theksoi se kjo i bën pacientët të ndihen të pambrojtur dhe të frikësuar, ndërkohë që një nga rekomandimet kryesore për ta është ulja e stresit.
“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për tenderë apo buxhete, mendonim se në të kaluarën i kishim tejkaluar këto probleme. Por mungesa e terapisë në kohë vazhdon. Që nga muaji maj, kur hyri në fuqi buxheti i ri, tri herë kanë munguar barna të caktuara në Klinikën e Onkologjisë. Këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për terapi biologjike, por edhe për citostatikë dhe barna që janë në listën pozitive. Këto mungesa të vazhdueshme, që përsëriten çdo muaj ose çdo dy muaj, janë problem i madh për pacientët onkologjikë”, tha ajo.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Igor Stojkovski, tha se pjesa më e madhe e preparateve tashmë kanë mbërritur në klinikë, ndërsa gjatë kësaj jave do të jenë në dispozicion edhe barnat e mbetura.
“Për një pjesë të vogël të preparateve që janë në listën pozitive të Fondit të Sigurimit Shëndetësor pati vonesë të shkurtër në furnizim për shkak të rritjes së konsumit, numrit më të madh të pacientëve, periudhës mes dy furnizimeve publike, si dhe mungesës së pjesshme te distributorët. Situata po tejkalohet në koordinim me distributorët, Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje rezultati i trajtimit të pacientëve”, tha ai.
Pacientët onkologjikë prej vitesh përballen me mungesë të terapisë. Ata gjithashtu alarmojnë për kushtet çnjerëzore në Klinikë, mbingarkesën me pacientë, si dhe problemet e vazhdueshme me skriningjet. përcjell Zhurnal.mk .
Burimi: lajmpress.org


