Sali Berishës i është hequr viza amerikane prej më shumë se 3 vitesh, por projektet e tij me Amerikën sërish janë të mëdha.
Altantikun që kreu i PD-së nuk e kalon, premton se me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, do ua mundësojë të gjithë shqiptarëve, udhëtimin pa pengesa në SHBA
Avokati Romeo Kara i ftuar në “Ora e fundit” në ABC News, u shpreh se kjo deklaratë e Sali Berishës është një tallje dhe një hipokrizi e pashoqe.
Ai thekson se Sali Berisha mund të cilësohet si “sistem”, i cili i ka rrënjët kudo, qoftë dhe në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë sa i përket “berishizmit|, avokati Kara tha se ajo është një bandë, e cila sipas tij zotëron miliarda pasuri.
“Deklarata e Berishës është tallje dhe hipokrizi, që kalon çdo lloj limiti. Mendoj se Berisha është një sistem, berishizmi, është një bandë reale , që zotëron miliarda. Është një sistem që ka ngul rrënjë edhe si mentalitet, sepse një pjesë i kanë parë hajrin atij, biznesmenë dhe kriminelë, që kanë punuar me të dhe mund të punojnë dhe nesër. Sistemi i drejtësisë është infektuar nga ky person”, tha ai.
Duke komentuar ankimimin e SPAK, i cili kërkon rikthimin në izolim të Sali Berishës, Kara pohoi se ish-kryeministri duhet të dërgohet në burg me qëllim që të mos ndikojë në proces.
Më tej, avokati u shpreh se vetë familjarët e Berishës kanë deklaruar se vendimi i GJKKO për lirimin e tij nga arresti shtëpiak ka qenë i ndikuar politikisht.
“Ky vendim është marrë nën ndikimin politik dhe këtë e pranon dhe vetë Berisha. Ai duhet marrë tani, duhet arrestuar dhe duhet të dërgohet në burg, që të mos prekë procesin. Këta e kanë marrë licencën e politikës për të vjedhur”, tha ai.
Burimi: botasot.info