Pa një ridefinim të statusit të Teki Dervishit në letrat tona, postmoderna shqipe ngelet shumë e varfër

min lexim

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Ndërgjegjja njerëzore e etike e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, i Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981).

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental, pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’, përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë, Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo nuk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre. Madje postomodena shqipe në Kosovë, pa studimin e thelluar të Teki Drvishit, mbetet një mision i papërfunduar.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Biden: SHBA do të forcojë pozicionin në Evropë

Story i radhës

Rriten rastet me COVID-19 në Kosovë

Të fundit nga