Janë konsumuar e po vazhdojnë që të konsumohen shumë energji, opinione, analiza, politika, media, prognoza, propozime e deri edhe shumë mendimtarë “filozofë” që na sygjerojnë zgjidhje dhe se cili është problemi politik që ka sot Shqipëria.
Dhe ajo që vihet re është se këta mendimtarë , politikanë, mediatikë e “filozofë” zgjidhjet i shohin në këndvështrim të anshëm, servil e mercenar sipas interesave personale të tyre, pra individë të politizuar.
Pa u zgjatur shumë them se problemi politik që ka sot Shqipëria dhe zgjidhja është vetëm largimi sa më parë nga pushteti i Edi Ramës dhe i qeverisjes së tij tejet të dëmshme e të korruptuar dhe si një qeverisje kundër interesave kombëtare, por nga ana tjetër jo më shpresë e politikë për rikthim në pushtet të Sali Berishës me kasten e tij që kjo të shikohet si zgjidhje.
Pasi po për këto arsye edhe ishpushteti i Berishës u ndëshkua me votë në vitin 2013, dhe po për këto arësye edhe u shpall “non grata”.
Si ajo politikë që kërkon që ta mbajë Edi Ramën në pushtet, edhe ajo tjetra për rikthimin e Berishës: që të dyja janë problemi politik më i madh që kanë sot shqiptarët.
Zgjidhja është vetëm ndëshkimi dhe dëbimi i këtyre të dyve si dhe të Ilir Metës në pension politik.
Nuk është e nevojshme për të sjellë fakte dhe argumente , pasi me të tilla është i tejmbushur tranzicioni politik në Shqipëri, prej të cilave Shqipëria mbeti e fundit në rrugën e demokracisë,shtetit ligjor, zhvillimit,progresit dhe gjithmonë mbeti në udhëkryqe, konflite e paqëndrueshmëri politike.
Jam kundër të gjithë atyre avokatëve “intelektualë” të cilët janë rrjeshtuar sipas servilizmit të tyre me njërin apo me tjetrin krah, pasi kush më shumë e kush më pak e gjithë politika e vjetër e tranzicionit në Shqipëri është mëkatarja më e madhe prej të cilave Shqipërisë i kanë ardhur gjithë këto të këqija.
Duhet sa më parë dhe është imediate largimi nga pushteti i qeverisë Rama, si me e keqja qeverisje në historinë e Shqipërisë.
Ndërsa prej 100 vitesh shtet, përsa i përket politikës së Tiranës si pro dhe në mbështetje të Kosovës kjo politikë është e vërtetë si e tillë aq sa është e vërtetë përralla politike.
Politikisht, Kosova fatkeqësisht në këto 20 vite funksionoi si ajo në Shqipëri.
Zgjidhja në Kosovë erdhi nga verdikti i popullit, pasi me Albinin dhe Vjosën vërehet që për herë të parë politika shtetërore shqiptare funksionon në kornizën dhe formatin e interesit kombëtar shqiptar.
Kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri, pra duhet një politikë dhe elitë e re politike për t’u ndarë njëherë e mirë nga fantazmat dhe nga e kaluara politike, nga korrupsioni dhe nga politika e papërgjegjshmërisë kombëtare.
Kjo është zgjidhja urgjente që duhet në Shqipëri , dhe cdo përpjekje tjetër për qarkullimin e elitës së vjetër është një përpjekje për arnimin e politikës së vjetër zhele.