David Ospina transferohet në Arabinë Saudite.
Portieri 33-vjeçar kishte mbetur pa ekip, pasi i përfundoi kontrata me Napolin dhe zgjodhi të vijojë karrierën te sauditët e Al Nassr, ku edhe u prezantua zyrtarisht.
Te klubi saudit, Ospina do të gjejë si trajner francezin Rudy Garcia, i cili u prezantua vetëm pak ditë më parë, ndërsa vlen të theksohet se kolumbiani largohet nga Europa për herë të parë pas 14 vitesh.
Pikërisht në verën e 2008-ës, Ospina zbarkoi te francezët e Nice, ndërsa më 2014-ën u transferua te londinezët e Arsenal, ku qëndroi për 4 sezone dhe mbrojti portën për më shumë se 70 ndeshje.
Në verën e 2018-ës Ospina u transferua te Napoli në Serinë A, fillimisht në huazim, teksa edhe me napolitanët i dha fund pas plot 4 sezonesh, ku në pjesën më të madhe të tyre luajti si titullar.