Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, ka reaguar sot pas, siç i cilësoi, keqinterpretimeve dhe akuzave të ditëve të fundit lidhur me funksionimin e institucionit. Përmes një sqarimi publik, Osmani bëri të ditur se tabela identifikuese e AZGJ-së është rikthyer në vend, pas një ndërhyrjeje teknike dhe procesi renovimi në hapësirat institucionale.

Sipas Osmanit, bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme mirëmbajtjeje, e cila nuk ka ndikuar në asnjë moment në funksionimin e institucionit apo në përdorimin e gjuhës shqipe. Osmani gjithashtu theksoi se gjuha shqipe mbetet plotësisht e garantuar në punën e përditshme administrative të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.
Drejtori i AZGJ-së, Granit Osmani hodhi poshtë akuzat e fundit, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të përdorura për ndërtimin e narrativave politike.
“Gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe realitet institucional që funksionon çdo ditë, pa hapësirë për manipulim apo keqinterpretim politik”, thuhet në reagimin e tij.


