Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, ka reaguar pas debatit të ditëve të fundit lidhur me largimin e tabelës identifikuese të institucionit, duke sqaruar se bëhej fjalë vetëm për një ndërhyrje teknike dhe proces renovimi në hapësirat institucionale.
Osmani njoftoi se tabela identifikuese tashmë është rikthyer dhe se në asnjë moment nuk është cenuar funksionimi apo përdorimi i gjuhës shqipe në institucion.
“Dua të theksoj qartë se gjuha shqipe në këtë institucion nuk është prekur në asnjë moment dhe mbetet plotësisht e garantuar në punën e përditshme administrative”, deklaroi ai.
Sipas Osmanit, akuzat dhe reagimet publike të ditëve të fundit kanë qenë të pabazuara dhe janë përdorur për krijimin e një narrative politike rreth një procesi teknik dhe të zakonshëm mirëmbajtjeje.
Ai theksoi se gjuha shqipe mbetet një e drejtë kushtetuese dhe realitet institucional që zbatohet çdo ditë, pa lënë hapësirë për manipulime apo keqinterpretime politike.
“Gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe realitet institucional që funksionon çdo ditë”, u shpreh Osmani.
Burimi: alfax.mk


