Organizatat ndërkombëtare kërkojnë ndaljen e sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë

Qendra Evropiane për Liri të Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera për mbrojtjen e gazetarëve, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

“Ne u bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarët dhe individët e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e presidentit dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë”, thuhet në letrën e publikuar nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave.

Në letrën, që këto organizata të mediave u kanë dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, thuhet se në ditët e fundit, në rrjetet sociale ka pasur mesazhe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve.

Në këtë letër përmenden postimet në Facebook të zëdhënësve dhe këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Zyrës së kryeministrit Kurti, të cilët “duke folur në emër të partive që prezantojnë, thanë se mediat u përpoqën të minonin presidenten përmes raportimeve të tyre”.

Këto organizata veçojnë edhe komentet e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu drejtuar gazetarëve.

Më 8 shkurt, Sadriu përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Më pas, ai këtë postim e fshiu.

Këtij reagimi të Prindon Sadriut i parapriu publikimi i lajmeve në mediat në Kosovë, ku pretendohej se presidentja Osmani kishte marrë kompensim për naftën e përdorur për udhëtime nga Mitrovica, në kohën kur ishte deputete, dhe në atë kohë mediat thanë se ajo kishte jetuar në Prishtinë.

 

“Këto komente kanë rezultuar efektivisht në një mori abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënjestruar gazetarët dhe aktivistët kritikë të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, përdorimi i termave të tillë si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve, duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në letër.

Këto organizata thanë se përdorimi i gjuhës denigruese bën pjesë në një kontekst më të gjerë problematik, “në të cilin, individët e lidhur me Vetëvendosjen përpiqen ta minojnë besimin e publikut në media”.

“Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve të pavarur është rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt që minon vlerat demokratike.Sidomos duke pasur parasysh ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është e një rëndësie të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive politike dhe figurat publike të respektojnë lirinë e mediave dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, u tha në letrën drejtuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Kjo letër është nënshkruar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Indeksi mbi censurën, Instituti Ndërkombëtar i Medias, Rrjeti i SafeJournalists (ku bëjnë pjesë shoqatat e gazetarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi) dhe fondacioni Daphne Caruana Galizia.

Ndryshe, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në raportet e tyre vjetore, kanë thënë se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit.

Në raportin e ri për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, të publikuar në janar të vitit 2022, u tha se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.

“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, ka thënë Human Rights Watch./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Evropa drejt lehtësimit të masave antiCovid

Story i radhës

90% të anëtarëve të ASH e duan Taravarin kryetar, jo Selën

Të fundit nga