“Opozita nuk po këndellet nga trauma”/ Asamblisti i Prishtinës flet për situatën aktuale – ka një mesazh për kryetarin Rama!

min lexim

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, tashmë disa muaj është nën qeverisjen e kryetarit Përparim Rama. Që nga shpallja e tij kryetar i Prishtinës, pritshmëritë për të ndryshuar qytetin ishin të mëdha, pasi edhe premtimet qenë të tillë.

Mirëpo nëse krahasojmë premtimet me punën atëherë mund të shohim një dallim goxha të madh, pasi i njëjti nuk i ka filluar as gjysmën e projekteve që i ka premtuar.

Në lidhje me situatën në Prishtinë si dhe problemet me të cilat kryeqytetasit përballen, flet në një intervistë për “Bota sot”, asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Feim Osmani.

Ai për gazetën foli për ngjarjet e fundit në vend, me ç’rast kërkoi të ndërpritet greva e më pas vazhdoi të debatojë edhe për qeverisjen e kryetarit Ramës.

Osmani u shpreh se Prishtina gjendet në një gjendje të rëndë pasi nuk është punuar dhe nuk po punohet sa duhet as tani.

Sipas tij, qytetarët po përballen me probleme të njëjta dhe nuk po zgjidhen ende.

Asamblisti preki disa çështje për gazetën tonë, duke përmendur këtu edhe ligjin e pagave e deri tek zgjidhja e një problemi tashmë të përditshëm për qytetarët e Prishtinës, e që janë qentë endacak.

Mirëpo, ai u shpreh se do të punoj edhe më shumë për mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës, pasi edhe për ata është zotuar, duke theksuar se do të kërkojë më shumë përkrahje për bujqit për të cilët, i njëjti ka njohuri dhe është i kualifikuar.

Image

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Feim Osmani.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në Prishtinë, si atë infrastrukturore, zhvillimore, të ndërtimit, ngrohjes gjatë dimrit etj?

Feim Osmani: Situata e përgjithshme në Prishtinë është e rëndë si pasojë e menaxhimit të dobët nga kryetari Rama me kabinetin e tij. Ka disa sektorë që dallojnë njëri me tjetrin, por në aspektin negativ, d.m.th. disa edhe më dobët se të tjerqt p.sh. prin për keq planifikimi i investimeve kapitale në të gjitha drejtoritë, menaxhimi i mbeturinave, trajtimi qenve endacak si dhe menaxhimi i ndërmarrjeve publike me theks të veçantë Prishtina Parking.

“Bota sot”: Pse në dy mandate Shpend Ahmeti nuk e realizoi projektin e zgjidhjes së problemeve me ujë të pijshëm, dhe kur do të zgjidhet sipas jush, që në rast thatësirash kryeqytetasit mos të ballafaqohen me reduktime?

Feim Osmani: Po të punonte me zell ish-kryetari Ahmeti do të mund të bënte shumë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve të Prishtinës.

Sidoqoftë, njësoj po vazhdon edhe qeverisja aktuale. Prishtina ka nevojë urgjente të filloj investimin në ndërrimin e gypave të stërvjetruar nëpër shumë pjesë të Prishtinës, montimin e pompave shtytëse nëpër vendbanimet me lartësi, të cilat problem kryesor e kanë presionin e ujit, në bashkëpunim më të ngushtë me KUR Prishtina në menaxhimin e kyçjeve të reja, të cilat për shkak të kontrollit të dobët e kyçjeve jo profesionale po shkaktojnë probleme të jashtëzakonshme e çka është më kryesorja në investimin e burimeve të reja të akumulimit për të shtuar kapacitetet me theks të veç antë për fshatrat e Gollakut.

“Bota sot”: Si është bashkëpunimi mes juve dhe kryetarit Rama?

Feim Osmani: Ka çalime gjithandej. Duke filluar nga puna e Kuvendit, koordinimi në mes drejtorive, mosvlerësimi i prioriteteve e deri te ndarja dhe menaxhimi i buxhetit.

Bashkëpunimi në mes anëtarëve të kuvendit nuk është për ta vlerësuar e këtu vlen të theksohet arroganca e numrave dhe përvoja jo e mjaftueshme në hartimin e rregulloreve e deri te mospërfillja e Kuvendit si nga ana e kryetarit po ashtu nga drejtoritë dhe anëtarët e pozitës LDK, PDK. Në shumë raste pozita po voton me nguti dhe pa plotësuar dokumentacionin e kërkuar me ligj për shumë vendime me çka po humbet shumë kohë duke u kthyer mbrapsht vendimet e miratuara të Kuvendit nga ana e MAPL-së si organ i shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimeve të kuvendeve komunale.

“Bota sot”: Edhe sa kohë do të vazhdojë inercioni i lëshimit të lejeve të ndërtimit, pa i përfillur kushtet urbanistike, si ngushtim rrugësh apo ndërtime buzë rrugëve, mungesë gjelbërimi, ngushtim i hapësirës dhe frymëmarrjes? Këtë po ashtu dështoi ta bënte Shpendi, përkundër premtimeve?

Feim Osmani: Nëse bëjmë krahasimin në mes qeverisjes së Sh. Ahmetit dhe P. Ramës sa i përket aspektit të ndërtimeve duhet pa tjetër të vlerësohet puna e mirë e Shpendit në mandatin e parë 2013-2017, ngase kjo shpërfaqë në radhë të parë mendësinë e udhëheqjes. Shpendi e pati fituar mandatin ndër të tjera edhe me premtimin për ndalimin e ndërtimeve pa leje e të cilën e bëri vetëm deri sa ishte nën ombrellën e mendësisë së zbatimit të ligjit dhe rregullit për aq kohë sa ishte në qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, nga momenti i ndarjes nga LVV-ja u bashkua me ata që mendësi e kanë betonizimin të përkthyer në para dhe i hapin rrugë degradimit të qytetit. Tani më rruga është e trasuar edhe për Ramën i cili ka ndërruar kabinetin qeverisës, por jo edhe mendësinë, pra nuk po mund ta bëjë kapërcimin nga kaosi në rregull sa i përket ndërtimeve pa kriter, tejkalimeve të planeve e mos respektimit të planeve urbanistike – zhvillimore e jo vetëm.

“Bota sot”: Një temë e rëndësishme këto ditë është greva sindikale e udhëhequr nga SBASHK-u, a mendoni që duhet të ndërpritet tashmë greva, dhe nëse ka pakënaqësi të vazhdohet më tej?

Feim Osmani: Gjithsesi greva duhet të ndërpritet dhe të fillojë mësimi. Në fakt një grevë e kësaj forme nuk do duhej fare të fillonte ngase dëmton pakthyeshëm fëmijët në aspektin e nxënies e po ashtu edhe mësuesit në reputacionin e tyre, dhe këtu nuk dua të dukem se jam kundër kërkesave të mësimdhënësve në asnjë formë. Por, dua të theksoj se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar në zbutjen e pasojave të inflacionit nga e cila përfitojnë edhe punëtorët e arsimit dhe të gjithë shërbyesit civil pa dallim. Në Kosovë në të gjithë sektorët pa dallim pagat nuk janë të dinjitetshme, por me ligjin e ri, i cili të enjten del për debat publik nga Qeveria dhe i kalon pastaj Kuvendit të Kosovës për miratim janë marrë parasysh të gjitha kërkesat e SBASHK-ut. Vazhdimi edhe më tutje me kryeneçësi i SBASHK-ut i jep ngjyra politike grevës.

“Bota sot”: Së fundmi kryetari Jasharaj është takuar me opozitën. A mund të kenë të njëjtit lidhje me grevën e vazhdueshme, a është një njeri i opozitës dhe a keni info nëse ndonjë grup interesi po e kontrollon grevën?

Feim Osmani: Opozita e ka përkrahur grevën edhe me deklarime edhe në takim me kryetarin e SBASHK-ut. Në këtë rast nuk është marrë për bazë fare dëmi që i shkaktohet arsimit në përgjithësi. Nuk dua të them se opozita nuk duhet t’i përkrahë kërkesat për përmirësim të kushteve të punonjësve të vendit, madje këtë nuk duhet ta bëjë as pozita por, jo përmes grevës dhe jo edhe pas masave të Qeverisë. Pra, takimi i SBASHK-ut me opozitën dhe qëndrimi i tyre pro grevës tregon më shumë se ç’mund të flasim ne për të përbashkëtat e këtyre dy palëve.

“Bota sot”: Po pse qeveria po vepron ngathët, për shembull edhe ligjin për pagat, se ka në mendje ta fuqizojë si çdo ligj tjetër, por pas 8 muajsh, ndërkohë që edhe dy muaj mund të shkojnë deri në miratimin e tij?

Feim Osmani: Nuk e di nëse Qeveria ka pasur mundësi ta procedoj më shpejt apo jo ligjin e pagave. E dimë bashkë me opinionin se ligji ka filluar nga e para pasi Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si diskriminues dhe në këtë mes ka hyrë edhe analiza e mundësive buxhetore sigurisht për implementimin e tij ngase për aq sa kemi parë ka ndryshime në paga për të gjitha kategoritë. Por, ajo çfarë Qeveria përkatësisht MEF-i do të duhej ta bënte më shpejt është një pako mbështetëse, e cila konsideroj që do të duhej publikuar në muajin gusht dhe të vazhdoj derisa ligji të hyj në fuqi. Mirëpo, këtu duhet pasur parasysh edhe mundësitë buxhetore dhe faktin se sa e rëndojnë këto masa të njëjtin. Në anën tjetër ligji ka nevojë të procedohet shpejt, por edhe më shumë duhet kujdes në cilësinë e tij që të mos përsëritet e kaluara.

“Bota sot”: Z. Osmani a mendoni që në vazhdimësi Qeveria Kurti po akuzohet nga opozita për shkak të inateve politike dhe pa argumente të qëndrueshme?

Feim Osmani: Opozita po kalon nëpër një fazë shumë të rëndësishme të sajë. Ajo nuk po mund t’ia dal me sukses t’i shëroj traumat e humbjes së pushtetit dhe po bënë veprime, të cilat do ta dëmtojnë edhe më tutje duke pamundësuar edhe reformimin e domosdoshëm të sajë. Duke mos pasur argumente kundër qeverisë në aspektin e korrupsionit, keqpërdorimit të buxhetit e sidomos përballjes me Serbinë nga të cilat do ndërtonte kauza, ajo në shumicën e rasteve po i kritikon edhe veprimet e mira që po i bënë Qeveria kështu që as nuk po merret seriozisht nga opinioni e shumë herë edhe po duket qesharake.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat me të cilat qytetarët e Prishtinës përballen?

Feim Osmani: Sfidat me të cilat përballen prishtinasit janë të shumta. Jemi dëshmitar se deri më tani qeverisja nuk ka arritur ta prekë qytetarin në aspektin pozitiv.

Prishtina më shumë se kurrë është mbuluar nga mbeturinat, problemit me qenët endacak, as nuk po i duket fillimi zgjidhjes, përkundër që po shpenzohen mjete në nisma gjysmake për ta zgjidhur këtë problem, rrugët me gropa të pa trajtuara do ta thellojnë edhe më tej problemin e qarkullimit sidomos tani që po ofron stina e dimrit, trafiku urban nuk po reformohet e as nuk ka autobusë të rinjë e si për të kontribuar për keq është rritur edhe çmimi i biletës për 0.10€, bllokimi i pa kriter i hapësirave për parkingje nga ana e ndërmarrjes publike Prishtina Parking, përkundër premtimit të kryetarit se do të ndërpritet kjo praktikë deri në miratimin e rregullores së re dhe revolta e qytetarëve rezident ndaj kësaj dukurie, vonesa të paarsyeshme në zbatimin e kontratave, shpenzimi i pa kriter i buxhetit, kontrata të dyshimta përmes prokurimit si në rastin e konsulencave për zyrën e arkitektit 12 mil. € dhe “ekspertëve” për menaxhim të kontratave me 400.000 €, e shumë probleme tjera të ngjashme janë sfidë e vërtetë me të cilën do të ballafaqohet qytetari i Prishtinës për kohë të gjatë.

“Bota sot”: Një nga temat që diskutohet nga kryetarët e komunave, janë qentë endacak, kryeqyteti ynë vazhdon ta ketë aktuale këtë temë. Cilat janë masat që mund ta zgjidhin situatën?

Feim Osmani: Në fillim të mandatit u duk sikur problemi me qenët endacak po merrej seriozisht pasi që ne si Kuvend miratuam një parcelë prej 13 ha për të ndërtuar strehimoren për ta në fshatin Slivovë. Ne si opozitë e patëm votuar ndarjen e sajë me gjithë faktin se ua patëm bërë të ditur se dokumentacioni ishte i mangët dhe si i tillë nuk do ta kalonte testin e ligjshmërisë nga ana e MAPL-së. Në funksion të kësaj patëm kërkuar që ajo pikë të hiqej nga rendi i ditës dhe të plotësohej me dokumentet shtesë që ishin të domosdoshëm dhe për të mos humbur kohë të vinte në Kuvend në seancë të jashtëzakonshme duke u zotuar se do merrnim pjesë dhe do ta votonim. Kërkesa jonë nuk u përfill dhe vendimi u kthye nga MAPL me rekomandimet shtesë. Që nga ajo kohë kanë kaluar mbi pesë muaj dhe ajo temë nuk është trajtuar në Kuvend me gjithë insistimin e vazhdueshëm nga ne. Nuk ka mënyrë tjetër për të zgjidhur këtë problem përveç ndërtimit të strehimores dhe dërgimit të tyre atje, duke krijuar kushte adekuate dhe trajtuar sipas konventave. Çdo vonesë në këtë drejtim dhe çdo rrugë tjetër e ndërmjetme është edhe shpenzim i kotë i parasë publike edhe rrezikim me vetëdije i jetës së qytetarëve nga ana e qenve endacak. Dimri po ofron dhe bashkë me dimrin edhe agresiviteti i tyre për shkak të përqendrimit të madh dhe mungesës së ushqimit.

“Bota sot”: Në fund cilat janë disa nga synimet e juaja si asamblist për kryeqytetin?

Feim Osmani: Unë jam njëri nga banorët e Prishtinës dhe pjesë e pandashme e halleve të tyre. Meqë pushteti lokal ka të bëjë drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së lagjeve të qytetit e fshatrave, synim parësor i imi është të jap kontributin tim në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e rrethinës prej nga vij, konkretisht fshatrave të veriut të Prishtinës dhe Gollakut në përgjithësi, duke mos lënë anash për asnjë moment as qytetin për aq sa kam mundësi dhe sidomos për temat që kam më shumë njohuri.

Do të përpiqem të ndikoj në rritjen e përkrahjes për bujqit duke vënë në dispozicion tërë njohuritë e mija në këtë fushë pa marrë parasysh se jam anëtarë i opozitës. Do të kujdesem për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike, ndërtimin e shkollave dhe çerdheve të reja për të cilat ka aq shumë nevojë pjesa rurale e Prishtinës pa çka se kjo është sfidë në vete duke qenë në opozitë. Më e rëndësishmja në këtë mes është se unë nuk do të bëjë kompromis me nevojat e votuesit për asnjë çmim!

Story i mëparshëm

Pesë shkolla në komunën e Gjakovës thyejnë grevën, nisin procesin mësimor

Story i radhës

Ky është djali sekret i Charles dhe Camilla që dëshiron të ngjitet në fron! Kush është Simon Charles Dorante-Day?

Të fundit nga