Operatorët celularë në vend janë pesimistë për mundësinë e implementimit të shpejtë të teknologjisë 5G.
Në diskutimet rreth dokumentit mbi teknologjitë e reja të internetit me brez të gjerë në Shqipëri, operatorët janë shprehur se investimi në 5G nuk mund të fillojë përpara vitit 2023. Qoftë edhe për qytetet e rëndësishme të vendit, mund të duhen të paktën 12 muaj për të mundësuar ndërtimin e plotë të rrjetit.
Operatorët janë shprehur se kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në teknologjinë 4G/4G+ në të gjitha grupet e spektrit përkatës brenda 2-3 viteve të fundit, dhe ata besojnë se ekziston ende një mundësi për të mbuluar kërkesat lokale për brezin e gjerë celular dhe rastet e përdorimit individual të paktën për 2-3 vitet e ardhshme. Operatorët e kanë parashikuar periudhën 2022-2023 për prova teknike dhe studime marketingu, ndërsa investimet e konsiderueshme në teknologjinë 5G priten kryesisht periudhën 2024-2025.
Ata vlerësojnë se procesi do të marrë kohë. 5G, duke qenë një investim intensiv dhe duke ndryshuar teknologjinë aktuale, ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u vendosur sesa rrjeti 4G.
Duket qartë se operatorët e shohin kalimin në teknologjinë e radhës 5G më të vështirë krahasuar me kapërcimet e mëparshme dhe ky pesimizëm lidhet me faktorë ekonomikë, teknologjikë, por edhe të natyrës burokratike dhe administrative. Vetë dokumenti i miratuar nga AKEP për rrugën drejt teknologjisë 5G pranon sfidat që paraqet procesi. Sipas dokumentit, zbatimi i arkitekturës 5G varet kryesisht nga aftësitë e vendosjes së qelizave të vogla dhe ndërlidhja e tyre me sistemin bazë, duke përdorur një infrastrukturë të rrjetit me brez të lartë të bazuar në teknologjinë e fibrave optike. Ky proces është aktualisht i vështirë për shkak të komplikimeve të ndryshme që dalin në gjetjen e vendeve për stacionet e reja bazë, marrjen e licencës për vendosjen e tyre dhe procedurat që duhet të ndiqen gjatë instalimit të infrastrukturës së rrjetit kabllor. Sipas operatorëve celularë, marrja e lejeve të ndërtimit për kulla të reja është e vështirë dhe paraqet vonesa dhe zvarritje të mëdha burokratike.
Nga ky këndvështrim, analiza e AKEP dhe konsulentit Jones Group International evidenton se është e nevojshme të ofrohet lehtësim për operatorët, në procedurat e dhënies së lejeve për vendosjen e kullave, stacioneve, por edhe reduktimi i kostove të vendosjes së infrastrukturës së rrjetit, duke rekomanduar se objektet e reja duhet të ndërtohen me një infrastrukturë të detyrueshme të instaluar me fibër optike.
Më konkretisht, analiza sugjeron ndërhyrje ligjore për të thjeshtuar procedurat dhe për të mundësuar marrjen e shpejtë dhe të lehtë të miratimeve për ndërtimin e rrjetit të ri 5G. Mbulimi me 5G mund të shtrojë nevojën ketë nevojë për të vendosur stacione bazë në vendet ku legjislacioni aktual nuk e lejon (për shembull, rrugë, instalimi i pajisjeve në shtyllat ekzistuese të ndriçimit, stacionet e autobusëve, kullat e linjave të transmetimit, etj.). Prandaj, është e nevojshme që të përshtaten ligjet përkatëse për të mundësuar vendosjen e pajisjeve 5G dhe fibrave optike në objekte të tilla.
Dokumenti sugjeron që në ndërtimin e rrjeteve 5G, duhet të merret parasysh mundësia e përdorimit të përbashkët dhe shmangia e ndërtimit të rrjeteve paralele nga përdoruesit e biznesit në të ashtuquajturat “Rrjetet e Kampusit”, si për shembull në komplekset e mëdha industriale, spitalet apo institucionet e tjera.
Një aspekt tjetër sfidues për zhvillimin e teknologjisë 5G është nevoja për investime jo vetëm nga operatorët privat, por paralelisht edhe nga shteti. Operatorët kanë evidentuar se shtrirja në zonat rurale ka kosto shumë të lartë dhe nuk do të kishte leverdi ekonomike, ndaj ata sugjerojnë subvencionimin me grante të qeverisë shqiptare ose Bashkimit Europian nëpërmjet qeverisë shqiptare për ta përshpejtuar procesin. Në të kundërt, shtrirja e 5G në zonat rurale do të kërkojë një kohë shumë të gjatë. Një alternativë tjetër e sugjeruar nga operatorët është edhe ofrimi i incentivave fiskale për të investuar këto zona.
Dokumenti i AKEP gjithashtu nënvizon se një rrjet i fortë kombëtar i fibrës optike backhaul është një kërkesë vendimtare për të përmbushur pritshmëritë e larta dhe vonesë të ulët nga teknologjia 5G. Për të arritur këtë qëllim, dokumenti i AKEP rekomandon krijimin e një Rrjeti Kombëtar të Infrastrukturës Optike Giga-Backhaul (NBON), financuar nga Qeveria. Investimi i Qeverisë në NBON do të justifikohet, pasi vendosja e tij do të përmirësonte kthimin e investimit në 5G për operatorët, duke i inkurajuar ata që të zbatojnë këtë teknologji më shpejt. Ai gjithashtu do të sigurojë përfitime të shumta në të gjithë vendin dhe me kalimin e kohës do të nxisë biznese të reja dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri.
/Monitor