OKB-ja dënon sulmin ndaj kolonës diplomatike turke në Sudan, apelon për hetim të plotë

min lexim

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë dënuar sulmin e fundjavës ndaj një kolone diplomatike turke në kryeqytetin sudanez Khartoum, raporton Anadolu.

Për javë të tëra kombi afrikan i goditur nga konflikti është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

“Ne dënojmë të gjitha sulmet ndaj personelit diplomatik, përfshirë atë ndaj kolonës diplomatike turke gjatë fundjavës. Të gjitha sulmet e tilla duhet të hetohen plotësisht”, tha për Anadolu zv/zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.

Sipas burimeve diplomatike turke, automjeti zyrtar i ambasadorit turk në Sudan, İsmail Çobanoğlu, është sulmuar nga armë zjarri të shtunën në Khartoum.

Nuk është raportuar për viktima dhe ende nuk dihet burimi i të shtënave. Ushtria sudaneze dhe paraushtarakët e RSF-së fajësuan njëri-tjetrin për sulmin.

Që nga 15 prilli, mbi 550 njerëz janë vrarë dhe mijëra janë plagosur në luftimet midis dy gjeneralëve ribal, shefit të ushtrisë sudaneze, Abdel Fattah al-Burhan dhe komandantit të RSF-së, Mohammed Hamdan “Hemedti” Dagalo.

Mosmarrëveshjet u nxitën në muajt e fundit për integrimin e RSF-së në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga vjeshta e vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare, e cila filloi në gusht të vitit 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024.





Story i mëparshëm

Ray Liotta vdiq nga pamjaftueshmëria e zemrës

Story i radhës

Berisha: Rama do dënohet aq sa McGoningal në SHBA, do shkojë si VIP në burg

Të fundit nga