1
Ohër, 26 shtator – Vizita e kryeministrit hungarez Viktor Orban në Ohër, i cili duhet të zbarkojë në aeroportin e Ohrit me delegacionin e tij qeveritar rreth orës 17:00, ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë qytetin, shkruan Alsat.
Rrugës nga aeroporti për në kompleksin turistik Shën Naum, ka siguri të fortë policore kurse aty ku do të kalojë delegacioni hungarez, ndalohet parkimi i makinave.
“Dje dhe sot pjesëtarët e policisë kanë ndërhyrë në zonën e ndalimit dhe parkimit të mjeteve të pasagjerëve dhe mjeteve të tjera motorike në këto rrugë. Gjatë lëvizjes së mjeteve të shoqëruara do të ndalohet plotësisht qarkullimi në këtë rrugë. Nga këtu po ju kërkoj të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, pasi që do të kemi ndalesë të shkurtër dhe të përkohshme deri në kalimin e delegacionit, pas kësaj qarkullimi do të vazhdojë normalisht”, tha Stefan Dimoski- zëdhënës i SPB-së Ohër.
Vizita e Orbanit vjen pas 11 viteve. Në vitin 2013 kishte ardhur në Ohër në takim me ish kryeministrin, tani azilant, Nikolla Gruevski. Nga presidenti i atëhershëm i shtetit, Gjorge Ivanov, atij iu dha dekorata 8 Shtatori për merita të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë.
Krahas takimit të planifikuar për nesër në mëngjes mes Mickoskit dhe Orbanit, do të mbahet seancë e përbashkët ndërqeveritare, pas së cilës të dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për media.
Takimi vjen në kohë kur Hungaria është kryesuese me BE-në dhe është Orban ai që do të kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2025. Partia e Orbanit dhe VMRO DPMNE konsiderohen parti të ngushta, ndërsa vizita vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut mori hua prej 500 milionë euro nga Banka hungareze.
BURIMI: zhurnal.mk