Objektivat e Messit në të ardhmen

Të shumta kanë qenë spekulimet për Lionel Messin dhe të ardhmen e tij, pas eliminimit të Paris Saint-Germain nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, në klubin francez ka pak dyshime për yllin argjentinas. Planet e ardhshme të Paris Saint-Germain janë ende të përqendruara rreth shtatë herë fituesit të Topit të Artë, i cili synon të përfundojë dy vitet e kontratës së tij. Ndërkohë, viti i tretë që ishte opsional nuk do të aktivizohet.

PSG është e varur nga Messi për disa arsye, me largimin e mundshëm të Kylian Mbappe në Real Madrid dhe me largimin tjetër potencial, atë të Neymarit.

Madje, pa Mbappen ka shumë gjasa që roli i Messit në skuadër të ndryshojë, edhe pse duhet parë sigurisht se kush është trajneri i radhës.

Këtë sezon, Messi është parë më shumë si një playmaker sesa një sulmues. Ai ka luajtur më thellë, duke ndërtuar lojën dhe duke i dhënë Mbappes shumë përgjegjësi në sulm. Nëse Mbappe largohet, Messi mund të kalojë në një pozicion më të avancuar në ekip.

Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, por Messi, i cili është fitues, tashmë po mendon për Ligën e Kampionëve të ardhshëm, një kompeticion që PSG-së i duhet absolutisht ta fitojë. Ai është më shumë se i gatshëm për këtë sfidë dhe kjo është arsyeja pse ai nuk ka asnjë hezitim për të qëndruar në vitin e tij të dytë.

Megjithatë, ky sezon duhet të përfundojë dhe detyra e parë në rendin e ditës është mbyllja e Ligue 1. PSG është 15 pikë përpara Marseille dhe pothuajse të gjithë besojnë se gara për titull ka mbaruar. Messi dëshiron të vazhdojë të fitojë tituj dhe Ligue 1 është një tjetër që ai dëshiron të shtojë në koleksionin e tij.

Numrat e tij individualë dhe kolektivë nuk janë mjaftueshëm të mirë këtë sezon për të fituar çmime individuale dhe Topi i Artë – që do të jepet në korrik të këtij viti nuk është as për diskutim, ndërsa ai është shumë larg të qenit golashënuesi më i mirë i Ligue 1 me vetëm dy gola.

Natyrisht, Messi më pas e ka Kupën e Botës në nëntor dhe dhjetor në mendjen e tij gjatë gjithë kohës. Do të jetë, teorikisht, shansi i tij i fundit për të qenë kampion bote pasi ai do të jetë 35 vjeç.

Nuk është e vërtetë, siç pretendojnë shumë media argjentinase, se ai jeton vetëm për kombëtaren. Të jesh në top formë me PSG-në është mënyra më e mirë për të qenë në top formë për Kupën e Botës me Argjentinën.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dhjetëra ligje ‘peng’ i mosfunksionimit të Kuvendit të Maqedonisë

Story i radhës

Aktorja e famshme revoltohet me presidentin rus: Uroj që jeta e tij të jetë e mjerueshme

Të fundit nga