Pas deklaratave të tij që ngjallën debat në mbarë botën, ish-presidenti amerikan Barack Obama ka hedhur poshtë edhe një herë pretendimet se Shtetet e Bashkuara fshehin alienë apo anije kozmike në baza sekrete nëntokësore. Me nota humori, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se do të ishte i gatshëm të udhëhiqte ekipin që do të priste qeniet jashtëtokësore, nëse ato do të vendosnin ndonjëherë të vizitonin Tokën.
Obama rikujtoi komentet që kishte bërë në një podcast gjatë muajit shkurt, ku deklaronte se “ata janë realë, por unë nuk i kam parë”. Në një intervistë me moderatorin Stephen Colbert, ai sqaroi se me këtë deklaratë kishte parasysh pafundësinë e universit dhe mundësinë që njerëzimi të mos jetë e vetmja formë jete që ekziston.
“Më dëgjoni pak, për të gjithë ju që mendoni se kemi disa burra jeshilë të fshehur aty poshtë. Një nga gjërat që mëson si president është se qeveria është shumë e keqe në ruajtjen e sekreteve. Nëse do të kishte alienë apo anije kozmike nën kontrollin e qeverisë amerikane, pra nëse ne do të kishim dijeni për gjëra të tilla, ju premtoj se dikush do të kishte bërë një foto me alienët dhe do t’ia kishte dërguar të dashurës së tij ose do ta kishte shpërndarë kudo”, deklaroi Obama.
Ish-presidenti amerikan tha gjithashtu se do të dëshironte që UFO-t dhe qeniet jashtëtokësore të ekzistonin. Gjatë bisedës, Colbert bëri shaka duke lënë të kuptohej se Obama mund të dijë më shumë nga sa tregon publikisht, madje krahasoi Qendrën Presidenciale Obama në Çikago me një anije aliene. Në përgjigje, Obama tha me humor se do të ishte një kandidat ideal për ekipin e “kontaktit të parë”, që do të kishte detyrën të përshëndeste alienët në rast se ata do të mbërrinin në Tokë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kishte reaguar më herët ndaj deklaratave të Obamës, duke bërë shaka se ai kishte zbuluar informacione sekrete lidhur me alienët pas komenteve të tij në podcastin e muajit shkurt.
Burimi: opinion.al


