Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Sipas Kurtit, në këtë takim është diskutuar edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Njoftimi i plotë:
Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë.
U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.